Ditën e sotme drejtori i Policisë Rrugore Altin Qato është filmuar teksa gjuan me shpullë një qytetar në aksin Thumanë-Kashar, veprim i cili është shoqëruar me pezullimin e tij nga detyra.
Në lidhje me këtë ngjarje reagoi në deputetja e PD Dhurata Çupi, e cila theksoi se “dhuna ndaj qytetarit është e papranueshme.
Bëhet edhe më skandaloze kur kryhet nga një zyrtar i lartë i Policisë së Shtetit. Kjo sjellje nuk ka asnjë lidhje me përgjegjësitë e Policisë së Shtetit, që ka si mision mbrojtjen e qytetarëve, sigurinë e jetës dhe pronës së tyre”.
“Shpreh indinjatën time të thellë ndaj kësaj sjellje antiligjore dhe kërkoj që personi përgjegjës të marrë ndëshkimin e merituar. I bëj thirrje Ministrit të Brendshëm dhe Avokatit të Popullit të marrin masat sipas përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore të tyre.
Dhunimi i qytetarëve nga policia është shkelje flagrante e të drejtave të njeriut dhe vepër penale e kryer në ushtrim të detyrës”, tha Çupi.