Një vështrim nga Parlamenti/ Nga tensionet te ‘Zgjedhorja’, çfarë arriti dhe çfarë la pas dorë

Shqipëria

Një vështrim nga Parlamenti/ Nga tensionet te ‘Zgjedhorja’, çfarë arriti dhe çfarë la pas dorë

Më: 3 gusht 2024 Në ora: 16:09
Kuvendi i Shqipërisë

Për t’i betonuar pushtetin kryetarëve të partive për të përcaktuar shumicën e deputetëve të ardhshëm, ende pa u zhvilluar zgjedhjet, politikës nuk iu desh shumë. Për pak javë ujdia për votimin e ndryshimeve në kodin zgjedhor u arrit, por Partisë Socialiste dhe Demokratike nuk i mjaftuan jo një por dy vite për të bërë reformën elektorale. Edhe pasi u kapërcye pengesa e “vulës” dy partitë e mëdha e mbyllën grupin e dialogut vetëm me marrëveshjen për votën e diasporës dhe herësin, duke anashkaluar rekomandimet e OSBE-ODIHR dhe kërkesat e vetë politikës.

Kjo nuk ishte e vetmja detyrë e pabërë e parlamentit tanimë me pushime. Zvarritja e procedurave dhe mungesës së dakordësisë politike u bë shkak për mos-zevëndësimin e dy anëtarëve në institucionet e drejtësisë. Naureda Llagami me mandat të përfunduar që në dhjetorin e një viti më parë vazhdon të ushtrojë detyrën si kryetare e Këshillit të Lartë Gjyqësor. Prej majit vakant mbetet edhe vendi i drejtuesit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Alfred Balla u përjashtua nga sistemi i drejtësisë me vendim të Kolegjit të Posaçëm të Apelit. Dështim i parlamentit për të zgjedhur në kohë drejtuesit e institucioneve të pavaruara me mandat të përfunduar është edhe ai për avokatin e popullit.

Prej më shumë se dy vitesh Erinda Ballanca vazhdon të jetë avokatja e popullit në detyrë. Shtatë kandidatë janë në garë prej verës së 2023-it. Ata kanë kaluar të gjithë filtrat e kuvendit por vazhdojnë të presin për t’u votuar në seancë plenare. Për rritjen e rrogave të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese qeveria dështoi dy herë për të bërë 84 vota. Projektligji kundërshtohet nga opozita dhe socialistët Fatmir Xhafaj dhe Erion Braçe. Për nga volumi i punës që kanë ata e e quajnë të pajustifikuar rritjen e rrogave të “kushtetueses”.

Dy komisionet e posaçme ai kundër korrupsionit dhe keqinformimit e mbyllën një pjesë të veprimtarisë së tyre vetëm me vendimet e miratura nga socialistët. Opozita i bojkotoi. Me nisjen e parlamentit në shtator mbetet për tu parë nëse mazhoranca do t’i çojë e vetme këto dy nisma apo Partia Demokratike do të ndryshojë qëndrim dhe do t’i bashkohet qeverisë për të ri-reformuar drejtësinë në prballjen e saj me korrupsionin shtetëror.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat