Kandidati i PS, Vangjel Tavo ka fituar zgjedhjet në Bashkinë e Himarës, duke marrë një numër më të madh votash se rivali i tij nga koalicioni opozitar, Petro Gjikuria.
Diferenca e votave mes Tavos e Gjikurisë ka qenë 1477 vota. Tavo ka marrë në total 5022 vota, ndërsa Gjikuria ka marrë 3545 vota.
Siç paraqesin dhe shifrat e KQZ-së, nga 36 kuti, Tavo ka fituar me 58.62 % të votave.
Ndërkohë në një deklaratë për mediat pas fitores, Tavo tha do të nisë nga puna për premtimet që i ka bërë qytetarëve.
Ai tha gjithashtu se Petro Gjikuria është i mirëpritur për t’u bërë nënkryetar i Bashkisë, siç i kishte premtuar më herët.
“Sot fitoi Himara, fituan himariotët. Na besuan vijimësinë e mandatit 2023. Që sot nisim punën për të gjithë atë që i kemi premtuar banorëve. Problemet nuk kanë ngjyrë e as Himara nuk ka ngjyrë. Fillojmë nga puna, të gjithë për Himarën e bashkuar pa probleme dhe të qetë. Festë nuk ka, do vazhdojmë nga puna. Prioritet do të jetë turizmi. Oferta ka qenë e sinqertë, Gjikuria është i mirëpritur për nënkryetar”, u shpreh Tavo.