Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK), monitoroi mbi baza tërësisht vullnetare procesin e Zgjedhjeve të Pjesshme për Kryetarin e Bashkisë Himarë, të datës 4 gusht 2024.
Përgjatë periudhës parazgjedhore, një ekip ekspertësh ndoqën situatën politike dhe institucionale në të cilën zgjedhjet u mbajtën, si dhe vëzhguan në mënyrë të pandërprerë përgatitjen dhe administrimin e procesit zgjedhor nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Ekipi i ekspertëve kreu edhe misione vëzhgimi në Bashkinë Himarë, ku realizoi takime me Komisionin Zonal të Administrimit të Zgjedhjeve (KZAZ) dhe me të dy kandidatët garues për Kryetar të bashkisë Himarë.
Ditën e zgjedhjeve dhe përgjatë numërimit të votave, KRIIK angazhoi tetë aktivistë të cilët vëzhguan procesin e votimit në 32 Qendra Votimi dhe situatën jashtë tyre, aktivitetin e Komisionit Zonal të Administrimit të Zgjedhjeve përgjatë procesit të shpërndarjes së materialeve zgjedhore, ditës së zgjedhjeve dhe numërimit të votave , si dhe procesin e numërimit të votave.
Në zgjedhje u regjistruan 11 parti politike , dhjetë prej të cilave u regjistruan në koalicionin parazgjedhor “Bashkë Fitojmë” duke propozuar si kandidat z. Petraq Gjikuria.
Ndërsa Partia Socialiste paraqiti si kandidat z. Vangjel Tavo.
Sipas raportimeve paraprake nga KQZ, ditën e zgjedhjeve të djeshme të 4 gushtit votuan rreth 37.6% e zgjedhësve të regjistruar në Bashkinë Himarë.
Me përfundimin e procesit të numërimit, Kandidati i Partisë Socialiste, z. Vangjel Tavo pritet të shpallet Kryetar i Bashkisë Himarë duke fituar 5,022 vota (ose 58.6%), ndërkohë që Kandidati i mbështetur nga Koalicioni “Bashkë Fitojmë” z. Petraq Gjikuria mori 3,545 vota (ose 41.4%).
Zgjedhjet e Pjesshme për Kryetarin e Bashkisë Himarë të 4 gushtit 2024 u mbajtën në një klimë politike të ngarkuar, ndërkohë që opozita në vijimësi e akuzon mazhorancën qeverisëse dhe eksponentë të saj për korrupsion të thelluar dhe lidhje me krimin e organizuar.
Një problem madhor në zgjedhjet e 4 gushtit ishte pamundësimi i votimit për zgjedhësit që kishin dokumente identifikimi të skaduara.
Ditën e zgjedhjeve, u bë publike një problematikë e ditur edhe më parë nga partitë politike dhe vetë KQZ-ja, që lidhej një numër shumë të lartë zgjedhësish, të cilët nuk dispononin në ditën e zgjedhjeve një dokument identifikimi të vlefshëm, pasi u kishte kaluar afati i përdorimit.