Baza e NATO-s në Kuçovë të Shqipërisë, i cila u përurua në mars, është bërë vendi ku po mbahen edhe dronët Bayraktar.
Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë tha se kjo bazë taktike e NATO-s i ka rritur kapacitetet dhe se së shpejti do të jetë operacionale 24 orë në 7 ditë të javës.
“Baza Ajrore e NATO-s në Kuçovë, e vetmja bazë taktike e Aleancës në Ballkanin Perëndimor, është edhe vendqëndrimi i njësisë së Mjeteve Ajrore pa Pilot, e cila përditë e më tepër ka rritur kapacitetet e saj duke u plotësuar me personel të kualifikuar dhe rritur gatishmërinë për misione gjatë natës për të qenë së shpejti operacionale 24/7. Edhe pse e sapoformuar, kjo njësi ka marrë pjesë në operacione të përbashkëta me forcat e tjera në luftën kundër zjarreve dhe padyshim do jetë element kyç për të mbështetur bashkitë në procesin e evidentimit të dëmeve. #DronëtBayraktar#ForcatEArmatosura“, thuhet n/ një postim të ministrisë në Facebook.
Kjo bazë do të shërbejë si qendër për aktivitetet e Forcës Ajrore të Shqipërisë, duke ofruar infrastrukturë të avancuar për avionët luftarakë dhe ata të transportit të NATO-s.
Baza ajrore e Kuçovës ishte pjesë e bisedimeve dypalëshe mes kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe Sekretarit amerikan të Shtetit, Anthony Bliken, gjatë vizitës së fundit të kryediplomatit amerikan në Tiranë, ku zbuloi se kjo bazë do ta ketë ndihmën e të gjitha vendeve partnere në NATO-s për t’u pajisur me teknologjinë më të fundit.