“Shqetësim mungesa e sigurisë ushqimore”/ Denoncimi i PD, Muçollari: Ministria e Bujqësisë ka dështuar, drejtësia të reagojë

Shqipëria

“Shqetësim mungesa e sigurisë ushqimore”/ Denoncimi i PD, Muçollari: Ministria e Bujqësisë ka dështuar, drejtësia të reagojë

Më: 7 gusht 2024 Në ora: 13:06
Grigels Muçollari

Partia Demokratike ka denoncuar mungesën e sigurisë ushqimore në vend. Anëtari i Kryesisë së PD, Grigels Muçollari u shpreh gjatë një konference për shtyp se Ministria e Bujqësisë ka dështuar të garantojë produkte ushqimore të shëndetshme në treg.

Ai i bën thirrje institucioneve të drejtësisë të hetojnë se si mallrat ushqimore të dëmshme hyjnë dhe tregtohen në Shqipëri duke rrezikuar shëndetin e qytetarëve.

“Partia Demokratike është e shqetësuar për mungesën e sigurisë ushqimore. Ne përsërisim kërkesën ndaj organeve ligjzbatuese dhe të drejtësisë të veprojnë. Përgjegjësit për këtë krim me pasoja të renda në shëndetin e qytetarëve duhet të mbajnë përgjegjësi. Ne jemi të angazhuar dhe do të ngremë zërin e do të denoncojmë çdo rast kur qeveria dështon të ofrojë siguri për ushqimet. Po ashtu, jemi të angazhuar me ekspertë e njohës të fushës të ofrojmë zgjidhje për këtë problem madhor.

Fëmijët tanë, prindërit tanë, të gjithë shqiptarët, meritojnë të konsumojnë produkte e ushqime të sigurta, që e përmirësojnë jetën nuk e shkurtojnë atë”, tha ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat