“Këtë sezon, më shumë mjete në qarkullim”/ Qibini: 2.3 milionë pasagjerë më tepër në aksin me Rinasin

Shqipëria

“Këtë sezon, më shumë mjete në qarkullim”/ Qibini: 2.3 milionë pasagjerë më tepër në aksin me Rinasin

Më: 9 gusht 2024 Në ora: 18:31
Shefi i Qarkullimit Rrugor, Besmir Qibini

Shefi i Qarkullimit Rrugor, Besmir Qibini thotë se këtë sezon ka një numër më të madh mjetesh në qarkullim, për shkak edhe të shtimit të turistëve që vizitojnë vendin tonë.

Në një intervistë për “Special Report” në ABC News, Qibini u shpreh se aksi më problematik është Tiranë-Durrës, teksa në aksin me Rinasin, raportohet për 2.3 milionë pasagjerë më tepër se vitin e kaluar.

Qibini shtoi se ka më pak aksidente me pasoja fatale. Sipas tij, turistët, kryesisht në Tiranë, janë të rregullt në drejtimin e mjeteve dhe nuk janë raportuar problematika.

“Ministria e Brendshme në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe komisariatet, edhe këtë vit kanë bërë një plan masash të detajuar. Kishim më tepër punonjës të dedikuar, patrulla të dedikuara, problematika më e madhe ishte fluksi i madh në akset nacionale, kryesisht në Tiranë-Durrës dhe aeroporti i Rinasit. Ne kemi dedikuar shërbime të veçanta që të shkojnë sa më shpejt në vendngjarje. Kemi pasur një dinamikë ndryshe nga vitet e tjera, dinamikë e jashtëzakonshme në Tiranë-Durrës dhe anasjelltas, nnga aeroporti i Rinasit, nga vjet, kemi 2.3 milionë pasagjerë më tepër. Këto përkthehen në mjete, motomjete, taksi. Aksi më problematik aksi Tiranë-Durrës dhe anasjelltas, Rinasi. Është parë e nevojshme që të shtohen motomjetet, që të mbërrijmë sa më shpejt në një vendngjarje, për të bërë veprime hetimore, për të lehtësuar trafikun, për të mos bllokuar qytetarët, drejtuesit e mjeteve, apo turistët që mund të jenë.

Nga statistikat që kemi, raportojmë me përgjegjësi të plotë që kemi ulje të aksidenteve me pasoja fatale. Kemi ulje të aksidenteve me pasoja fatale në raport me vitin që shkoi. Shkak i aksidenteve në përgjegjësi, më e shpeshta, është ajo e mosmbajtjes së distancës së sigurisë, më pas vjen parakalimi i gabuar. Kur konstatojmë, çdo kundravajtës sot ndëshkohet, nuk kemi dyshim për këto rregulla të sigurisë rrugore, që t’i tolerojmë dhe mos t’i ndëshkojmë.

Në përgjithësi, flas për Tiranën, kanë qenë drejtues tepër të rregullt, nuk kemi problematikë. Kemi qenë tepër të vëmendshëm ndaj kësaj lloj kategorie. E vetmja shkelje, ka qenë kur navigatori i tyre mund t’i japë rrugë kundravajtje. Ne kemi qenë këshillues në të tilla raste dhe dashamirës. Ka shkuar mbarë këto ditë”, theksoi ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat