Kreu i Demokratëve Euroatlantikë Lulzim Basha ka kujtuar sot varjen e poetit Havzi Nela në mes të Kukësit. 10 Gushti i vitit 1998 është dita kur regjimi gjakatar komunist kreu një nga aktet më barbare të historisë, duke ekzekutuar në litar në qendër të Kukësit patriotin, mësuesin disident, Havzi Nelën.
“Jeta e tij tragjike u thye sepse regjimi edhe pse e torturoi, internoi dhe arrestoi, nuk e mposhti dot guximin dhe shpirtin e tij rebel”, shkruan Basha.
Vepra dhe idetë e Havzi Nelës ishin dhe mbeten një monument njerëzor i rezistencës antikomuniste, i kurajos qytetare dhe intelektuale për të mos u përkulur përballë të keqes edhe kur ajo duket e pathyeshme, thotë politikani demokrat.
“Fundi i pandëshkueshmërisë, përballja me të shkuarën e errët komuniste dhe korruptive, janë edhe amaneti që kemi detyrim të çojmë përpara në respekt të së shkuarës sonë të dhimbshme, e për të fituar të ardhmen për të cilën Havzi Nela dhe martirët e antikomunizmit dhanë jetën e tyre”, shkruan Lulzim Basha.
Lexoni mesazhin e plotë të politikanit Lulzim Basha për Havzi Nelën:
10 Gushti i 1988 ka hyrë në kujtesën tonë kolektive, si dita në të cilën regjimi gjakatar komunist kreu një nga aktet më barbare të historisë, duke ekzekutuar në litar në qendër të Kukësit poetin, patriotin, mësuesin disident, Havzi Nelën.
Jeta e tij tragjike u thye sepse regjimi edhe pse e torturoi, internoi dhe arrestoi, nuk e mposhti dot guximin dhe shpirtin e tij rebel.
Vepra dhe idetë e Havzi Nelës ishin dhe mbeten një monument njerëzor i rezistencës antikomuniste, i kurajos qytetare dhe intelektuale për të mos u përkulur përballë të keqes edhe kur ajo duket e pathyeshme, e vetëmohimit për të paguar me çmimin e jetës vlerat e patjetërsueshme të humanizimit me të cilin poeti martir ishte mbrujtur.
10 Gushti është për të gjithë ne, një ditë reflektimi, kujtese dhe mirënjohje për Havzi Nelën dhe plejadën e të rënëve gjatë diktaturës komuniste, shpirtrat e të cilëve kanë ndriçuar udhën e shqiptarëve drejt lirisë, por edhe na vetëdijëson se, paçka vitet dhe dekadat kalojnë, borxhi ndaj sakrificave të tyre sublime mbetet ende i pashlyer, pasi për një amnezi të qëllimshme dhe një hipokrizi të pajustifikueshme, ndërtuam demokracinë me njerëzit e diktaturës.
Ky borxh i pashlyer ndaj Havzi Nelës, xhelatët e të cilit nuk u përballën kurrë me drejtësinë, si dhe borxhi ndaj të gjitha viktimave të regjimit gjakatar dhe pasardhësve të tyre, është detyrimi më i madh moral dhe material ndaj të shkuarës dhe brezave të ardhshëm. Fillimi i pandëshkueshmërisë që sundon tranzicionin, përkon me mungesën e ballafaqimit me drejtësinë e kriminelëve të regjimit me krimet e tyre.
Fundi i pandëshkueshmërisë, përballja me të shkuarën e errët komuniste dhe korruptive, janë edhe amaneti që kemi detyrim të çojmë përpara në respekt të së shkuarës sonë të dhimbshme, e për të fituar të ardhmen për të cilën Havzi Nela dhe martirët e antikomunizmit dhanë jetën e tyre. I përjetshëm kujtimi dhe vepra e Havzi Nelës!