Zyhdi Shehu, 78-vjeçari i cili pak ditë më parë goditi për vdekje shokun e dhomës në azil, ka përfunduar në qelitë e burgut të Lezhës.
Pas ngjarjes, gjykata urdhëroi që i moshuari i cili vuan nga parkinsoni dhe skleroza të shtrohej në spitalin psikiatrik, por nuk ka ndodhur kështu, raporton gazetari Igli Çelmeta.
Avokati mbrojtës i Zyhdi Shehut i kërkon Burgjeve ta çojnë klientin e tij në spitalin e burgut, siç është urdhri i ekzekutimit të prokurorisë që ka përcaktuar të dërgohet te spitali i burgut në QSUT.
Zyhdi Shehu akuzohet se goditi për vdekje me bastun shokun e dhomës, Virxhil Vesho, në orët e para të mëngjesit të 8 Gushtit.
Autori i ngjarjes dhe viktima raportohet se të dy vuanin nga skleroza. 78-vjeçari Zyhdi Shehu mësohet se ka ndryshuar disa herë version mbi aktin e tij, ku goditi disa herë me bastunin e hekurit shokun me të cilin ndante dhomën.
Ndërkohë infermieret e turnin Nazime Mulla dhe Glesantina Saraçi u akuzuan se tentuan të fshihnin vrasjen e 82-vjeçarit, ngjarje e ndodhur në azilin e të moshuarve në “Qytetin Studenti”.
Ato u arrestuan nga policia, por u liruan nga qelia me vendim të Gjykatës së Tiranës pasi ndaj tyre u vaktua masa e sigurisë “arrest shtëpie”.