Banka e Shqipërisë ka pezulluar dje aktivitetin financiar të dy shoqërive të kursim kreditit “Rroshkull One” dhe “Perlat”. Shkak për këtë janë bërë shkeljet për mos raportime të sakta të pasqyrave financiare në regjistrin e kredive dhe mosmarrjen e masave kundër pastrimit të parave. Sipas “Monitor”, në bazë të raportit të ekzaminimit të veprimtarisë së Shoqërisë së Kursim-Kreditit “Rrushkull One” për periudhën 31 korrik 2021– 31 dhjetor 2023, grupi i inspektorëve të Departamentit të Mbikëqyrjes ka konstatuar një sërë problematikash dhe mangësish, të cilat përbëjnë shkelje të kërkesave të ligjit nr. 52/2016 “Për shoqëritë e kursim-kreditit dhe unionet e tyre”, si dhe të rregulloreve që Banka e Shqipërisë ka nxjerrë në zbatim të këtij ligji.
Mbështetur në listën shumë të gjatë të shkeljeve të konstatuara, Banka e Shqipërisë ka Pezullimin e ushtrimit të veprimtarive financiare për të cilat është licencuar për një periudhë 6-mujore (31 janar 2025). Gjatë periudhës së pezullimit, SHKK “Rrushkull One” nuk mund të ushtrojë aktivitetin e kredidhënies si dhe nuk lejohet mbledhja e depozitave në çdo formë, përshirë edhe depozitimet në llogari rrjedhëse. Gjatë periudhës së pezullimit, lejohet vetëm tërheqja e depozitave dhe shlyerja e kësteve të kredisë nga anëtarë të SHKK-së, si dhe transferimi i depozitave dhe kredive për qëllime të bashkimit me përthithje me SHKK “Perlat”.
Masat
Gjithashtu, Banka e Shqipërisë ka urdhëruar edhe kufizimin e rritjes së mjeteve financiare, duke përfshirë zërat jashtë bilancit me rrezik gjatë periudhës së pezullimit të ushtrimit të veprimtarive financiare për një periudhë 6-mujore (deri në 31 janar 2025) dhe ndalimin e rritjes së ekspozimit ndaj një anëtari ose pale të tretë për një periudhë 6-mujore dhe ndalimin e kryerjes së çdo lloj investimi për të njëjtën periudhë. Ndërkohë, problematika e SHKK-së tjetër, “Perlat”, e ka origjinën qysh në vitin 2018, kur pas komunikimeve me Bankën e Shqipërisë subjektit iu kërkua likuidimi vullnetar i shoqërisë, Në mars 2018, SHKK “Perlat” njoftoi se do të mbështeste krijimin e një shoqërie të re, e cila do të përthithte edhe SHKK “Perlat” (Vendim i Asamblesë dt. 28.3.2018). Në vitin 2021, Banka e Shqipërisë ka licencuar SHKK-në “Rrushkull One”, e cila është anëtarësuar në skemën e sigurimit të depozitave në gusht 2021. Në plan biznesin e paraqitur nga SHKK “Rrushkull One” në momentin e licencimit, është parashikuar dhe procesi i bashkimit me përthithje me SHKK “Perlat”, ku SHKK “Rrushkull One” do të ishte shoqëria përthithëse). Për më shumë se tre vjet, ky proces nuk është realizuar.
Në këto kushte, Banka e Shqipërisë ka vendosur edhe pezullimin e ushtrimit të veprimtarisë së kredidhënies dhe mbledhjes së depozitave të reja në çdo formë nga anëtarët e saj, të SHKK “Perlat” deri në datën 31 dhjetor 2024. Gjatë periudhës së pezullimit, lejohet vetëm tërheqja e depozitave me kërkesën e anëtarëve, shlyerja e kësteve të kredisë nga anëtarët e SHKK-së dhe transferimi i depozitave dhe kredive për qëllime të bashkimit me përthithje me SHKK “Rrushkull One”. Gjatë periudhës së pezullimit, SHKK “Perlat” duhet të marrë të gjitha masat dhe vendimet e nevojshme për të finalizuar bashkimin me përthithje me SHKK “Rrushkull One”. Që prej vitit 2017, depozitat pranë SHKK-ve janë të siguruara deri në vlerën e dy milion lekëve. Por, sigurimi bëhet efektiv vetëm në momentin kur SHKK-ja përkatëse anëtarësohet në skemën e sigurimit të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave.
Për këtë qëllim, SHKK-të duhet të certifikohen dhe të marrin një vërtetim të përmbushjes së kritereve nga Këshilli Drejtues i ASD-së. Megjithatë, disa prej SHKK-ve ende nuk janë anëtarësuar në skemën e sigurimit të depozitave, sipas kërkesave ligjore. Sipas Bankës së Shqipërisë, aktualisht në Shqipëri ekzistojnë 16 SHKK të licencuara, por pesë prej tyre e kanë pezulluar aktivitetin në periudhën 2015-2016. Mbështetur në informacionin zyrtar ngelen 11 SHKK aktive (përfshi dy SHKK-të e pezulluara këtë muaj), por Agjencia e Sigurimit të Depozitave raporton vetëm nëntë subjekte të anëtarësuara në skemën e sigurimit të depozitave.