E kallëzoi fqinji pas sherrit, 55-vjeçarit i gjendet në banesë një kallashnikov dhe 690 fishekë

Shqipëria

E kallëzoi fqinji pas sherrit, 55-vjeçarit i gjendet në banesë një kallashnikov dhe 690 fishekë

Më: 19 gusht 2024 Në ora: 09:39
Foto nga vendi i ngjarjes

Policia e Elbasanit ka finalizuar operacionin e koduar “Indicia”, ku u sekuestrua 1 armë zjarri kallashnikov dhe 690 fishekë të kalibrave të ndryshëm.

Në në pranga ka rënë 55-vjeçari që posedonte pa leje në banesë armën dhe municionin.

Në zbatim të planit të masave për të garantuar sundimin e ligjit në territor dhe në bazë të kallëzimit të një 53-vjeçari se kishte konflikt me fqinjin e tij, 55 vjeç, për dëmtimin e një peme frutore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Gramsh kanë organizuar punën dhe kanë kryer kontroll në banesën e 55-vjeçarit, në fshatin Shënmrizë.

Gjatë kontrolleve në banesën e 55-vjeçarit, të kryera në kuadër të operacionit policor të koduar “Indicia”, u gjetën 1 armë zjarri kallashnikov dhe 690 fishekë të kalibrave të ndryshëm, të cilat posedoheshin pa leje, nga ky shtetas.

Në përfundim të veprimeve procedurale u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, arma dhe municioni, si dhe u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit I. R., 55 vjeç, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Prerja e druve dekorative dhe frutore”, sqaron policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat