Sonte protestohet në Tiranë. Ngjarja që tronditi opinionin publik javën e kaluar me vrasjen në Pogradec të Egli Progës nga Denis Meçe është motiv kryesor i kësaj proteste.
Vetë konflikti publik që u përfshinë institucionet e zbatimit të ligjit dhe ato të drejtësisë për të kaluar përgjegjësinë tek njëra-tjetra, përforcoi dyshimet se diçka ka shkuar keq me zbardhjen e ngjarjes mbrëmjen e 10 gushtit në qytetin liqenor.
Denis Meçe është sot në arrest me burg për vrasje nga pakujdesia, ndërsa sipas policisë vrasja ishte me dashje. Prokuroria dhe gjykata nuk e mbajtën përgjegjësinë për lehtësimin e akuzës, çka shkaktoi reagimin e fortë të familjareve të të ndjerit.
Por protesta e sotme e organizuar nga “Shqipëria bëhet” ka deklaruar se jo vetëm për këtë ngjarje, por edhe për një seri të tjerash, qytetarët duhet të ngrenë zërin në marshimin që nis në Sheshin Skënderbej në 19:30 për të vijuar tek Ministria e Brendshme dhe përfunduar tek Kryeministria.