Katër të vrarë dhe dy të plagosur është bilanci i kësaj të hëne gushti.
Rreth orës 14:07 të ditës së sotme (19 gusht), në afërsi të një marketi te rrethrrotullimi i Komunës së Parisit, punonjësi i policisë Erjon Goxhara plagosi me armë zjarri 45 vjeçarin Lorenc Kosta.
Ngjarja ndodhi për motive të dobëta, pasi autori dyshonte se Kosta kishte lidhje me bashkëshorten e tij.
Efektivi i policisë qëlloi 6 herë në drejtim të 45 vjeçarit dhe plumbat e kapën në këmbë e një në bark.
Pasi e plagosi ai e filmoi dhe më pas u largua, dyshohet në drejtim të Dajtit.
Drejtori i policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, në një deklaratë për mediet i bëri thirrje që të dorëzohet. Megjithatë Goxhara nuk është arrestuar ende.
Kryeqyteti do të tronditej sërish në mbrëmje pas një krimi të dyfishtë në familje.
Shtetasi amerikan Matthew James Wertz vrau bashkëshorten e tij, Lilis Sartika Saragih duke e mbytur me litar, dy qentë dhe më pas veten.
Ngjarja ndodhi në rrugën Vangjel Noti në Laprakë.
Fillimisht u gjet trupi i pajetë i amerikanit, i cili ishte vetëvarur, ndërsa më vonë, duke kërkuar për prova të reja, janë gjetur trupat e pajetë të bashkëshortes së tij me origjinë nga Indonezia, por me pasaportë amerikane.
53-vjeçari amerikan, pasi e ka mbytur gruan, e ka mbuluar trupin e saj me rroba dhe sipër tyre ka vendosur 2 trupat e mbytur të dy qenve.
Paraprakisht dyshohet që ngjarja të ketë ketë ndodhur në kushte depresioni, por kjo është pistë paraprake dhe po hetohet nga policia.
Një vrasje tjetër e dyfishtë do të trondiste mbrëmjen e sotme Velipojën.
Ersild Ishmi, 33 vjeç dhe Arsid Hoxha, 22 vjeç u vranë me armë zjarri. Autorë të dyshuar të ngjarjes janë vëllezërit Gëzim dhe Eduart Frroku.
Nga ngjarja ka mbetur dhe një person i plagosur, Zyber Zagradi i cili ka marrë një plumb në këmbë.
22 vjeçari Arsid Hoxha ka marrë dy plumba, një në gjoks dhe një në bark, ndërsa 33 vjeçari ka marrë tre plumba, dy në gjoks dhe një në bark.
Si ndodhi ngjarja
Ka qenë ora 21:00 kur Arsid Hoxha dhe Ersild Ishmi janë qëlluar me armë zjarri nga dy vëllezërit e identifikuar si Eduart dhe Gëzim Frroku.
Dy të plagosurit janë transportuar menjëherë për ndihmë mjekësore në spitalin rajonal të Shkodrës por mësohet se si pasojë e plagëve të marra të dy kanë humbur jetën në sallën e operacionit.
Njëri prej viktimave, Ersild Ishmi ishte i përfshirë në konfliktin e disa javëve më parë në hotelin e dy vëllezërve ku kishte kërcënuar me armë zjarri një kuzhinier e më pas policia e shpalli në kërkim. Kjo sipas, drejtorit të policisë së Shkodrës Edmond Sulaj, ka qenë zanafilla e këtij krimi.
Aty pati fillimisht një konflikt më 28 qershor mes kamarierit dhe kuzhinierit të këtij hoteli. Më pas erdhi Ersild Ishmi, 33 vjeçari në ndihmë të kamarierit duke kanosur kuzhinierin me armë zjarri. Ishmi hodhi pistoletën, kur pa se erdhi policia dhe u largua nga vendngjarja. Ai ishte arrestuar më 14 korrik dhe ndaj tij ishte vendosur masa e sigurisë “arrest shtëpie”.
Ngjarja nuk është harruar dhe mesa duket palët janë takuar sërish kur ndodhi dhe ngarja tragjike.