Malësia e Madhe “luftë” si Lazarati, trafikantët e drogës qëllojnë në ajër sa shohin efektivët dhe arratisen…

Shqipëria

Malësia e Madhe “luftë” si Lazarati, trafikantët e drogës qëllojnë në ajër sa shohin efektivët dhe arratisen…

Më: 22 gusht 2024 Në ora: 08:25
Pamje nga vendi i ngjarjes

Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar dje gjatë një operacioni antikanabis në Malësi të Madhe. Sapo trafikantët kanë parë efektivët e policisë në terren, kanë qëlluar me armë zjarri në ajër dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:00 në vendin e quajtur “Bjeshka e Parus”, ndërsa policia po kryente një operacion antikanabis në njësinë administrative Shkrel. Fatmirësisht, nga të shtënat nuk ka pasur efektivë të lënduar, ndërsa policia po vijon hetimet që kapjen e autorëve. Në videon e vënë në dispozicion nga policia dëgjohen 6 të shtëna në ajër, ndërsa forcat speciale në rresht të armatosur, disa prej tyre dhe me snajper në dorë vijojnë rrugën e tyre.

“Rreth orës 10:00, në vendin e quajtur “Bjeshka e Parus”, shtetas ende të paidentifikuar kanë qëlluar në ajër, me armë zjarri, kur kanë parë shërbimet e Policisë të cilat po kryenin kontroll të territorit në njësinë administrative Shkrel, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike. Menjëherë në ndihmë të Policisë vendore janë nisur forcat operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe Forca e Posaçme “Shqiponja”, në drejtimin e Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër. Me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, po në ndihmë të Policisë vendore, u dërguan Forcat Kombëtare të Sigurisë Njësia Shkodër dhe grupe speciale të RENEA-s me helikopter.

Forcat operacionale në terren, përkundrejt asgjësimit dhe shkatërrimit të bimëve narkotike, vazhdojnë operacionin për lokalizimin dhe kapjen e autorëve të qëllimit me armë zjarri”, njoftoi dje policia. Përballja më e fortë në Shqipëri e trafikantëve ndaj policisë e medias, u shënua në 2014-ën kur u ndërhy në Lazarat, fshatin ku çdo familje kultivonte kanabis me bekimin e shtetit. Por ndryshe nga rasti i Malësisë së Madhe në Lazarat i qëlluan helikopterit të Guardia Di Finanza dhe ndaj gazetarëve. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet për sigurimin e provave me qëllim dokumentimin ligjor të rastit."

Reagon ministri Hoxha

Ndërkohë ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha ka reaguar në lidhje me të shtënat me armë ndaj policisë në Malësinë e Madhe. Hoxha thotë se kjo është një kambanë alarmi e se duhet të gjenden mekanizmat për një kontroll sa më efikas të territorit, me qëllim parandalimin e këtyre ngjarjeve. Ministri nënvizon se do të mbështesë maksimalisht dhe pa asnjë hezitim të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit, struktura që busull në punën e tyre kanë ligjin dhe vetëm ligjin. “Të qarkullosh me armë zjarri në rrugë, qendra të banuara e kudo, për qëllime kriminale, siç ka ndodhur ditët e fundit apo edhe sot në Malësinë e Madhe, nuk është thjesht një kambanë alarmi.

Kjo kambanë na vendos përballë një detyre të madhe: Për të gjetur mekanizmat e menjëhershëm për kontroll më të mirë e më efikas të territorit, për të siguruar informacionin e duhur, me qëllim parandalimin. E nga ana tjetër dhe po me kaq rëndësi, për të ndryshuar dhe reformuar organizatën e Policisë, nga qendra në bazë, në një shërbim model, pasqyrë e shoqërisë tonë, model që mund ta ofrojnë vetëm drejtues profesionistë dhe me integritet, dhe një organizatë e mirëstrukturuar dhe reaguese mëse e shpejtë.

Në detyrën e Ministrit të Brendshëm do të mbështes maksimalisht dhe pa asnjë hezitim të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit, struktura që busull në punën e tyre kanë ligjin dhe vetëm ligjin, pavarësisht rrezikut dhe vështirësive, siç po përballet sot Policia e Shkodrës në luftën e saj kundër kultivimit të kanabisit apo Policia e Shtetit në përballjen e saj me krimin në çdo cep të vendit. Do të jem krah çdo punonjësi të ndershëm për të dekurajuar krimin dhe forcuar sundimin e ligjit në territor. Qytetarët dhe Shqipëria turistike duan një Polici efikase në çdo moment, për të garantuar jetën dhe pronën, për të siguruar një ambient të sigurt shoqëror dhe respektim të të drejtave e lirive themelore të tyre”, njoftoi dje Ministria e Brendshme.

Reagon PD

Nga ana tjetër, deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji ka reaguar dje pas lajmit që dyshohet se një trafikant ka qëlluar me armë ndaj policëve në Malësi të Madhe. Në një postim në “Facebook”, Salianji shkruan se degradimi i rendit ka vënë në alarm gjithë shoqërinë. Salianji ka thumbuar edhe ministrin e Brendshëm, Ervin Hoxha, për të cilin thotë se është shpallur në kërkim dhe se po mbrohet në bunkerë derisa të marrë dakordësinë e bandave për të ndërhyrë për sigurinë e rendin në vend.

“Plumbat ndaj policisë janë të papranueshme dhe kushdo ngre dorën ndaj policisë, godet autoritetin e shtetit dhe duhet të marrë ndëshkimin më të ashpër! Ndërkohë duhet thënë se ngjarje të tilla të harruara prej vitesh vijnë për shkak të drejtuesve partiakë të policisë së shtetit dhe përdorimit të segmenteve të policisë që ndihmojnë dhe lehtësojnë krimin, e kriminelët që mbledhin e pjellin vota për pushtetin! Këta drejtues ja kanë ulur autoritetin policisë dhe i kanë vendosur nën darë punonjësit e policisë, nën darën e krimit dhe drejtuesve të policisë të emëruar nga krimi!

Degradimi i rendit dhe sigurisë ka vendosur në alarm gjithë shoqërinë, duhet ndryshim! Ministri prej kohësh është shpallur në kërkim e nuk gjendet me sa duket i trembur nga gjendja e krimit dhe i pafuqishëm të ndërhyjë derisa të marrë dakordësinë e bandave, po mbron veten në bunkerët e ministrisë”, shkruan Salianji.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat