Investimet e dekadave të fundit në transportin rrugor shmangën prioritetet që ishin vendosur në strategjitë e zhvillimit. Përdorimi për politikë i fondit të investimeve la qendrën e vendit në Rajonin Fushë-Krujë-Tiranë-Durrës-Rinas me mungesa të thella infrastrukturore, teksa investimet vijojnë të përqendrohen në skaje si në Rrugën e Arbrit, Tunelin e Llogorasë, Qukës, Qafë-Thanë, Korçë -Ersekë etj. Shmangia për dy dekada e projekteve në Korridorin 8 dhe në Korridorin 10 dhe lënia pa zgjidhje e infrastrukturës në zonën e qendrës ka zbehur përfitimet e vendit, ka vështirësuar lëvizjen dhe ka rritur kostot për popullsinë e qendrës dhe të Veriut
Në vitin 2004, kompania austriake Strabag AG, nga më të mëdhatë në Europë, i propozoi qeverisë shqiptare ndërtimin me koncesion të Autostradës Thumanë-Rrogozhinë, kundrejt pagesës, për të cilën kishte gati edhe një studim fizibiliteti.
Katër vite më vonë, e njëjta kompani i propozoi qeverisë shqiptare ndërtimin e Autostradës Durrës-Tiranë-Elbasan, rreth 80 kilometër, me kosto 468 milionë euro.
Kompania mori përsipër ndërtimin e akseve për një periudhe dyvjeçare nga data e fillimit. Pasi kishte studiuar nevojat e Shqipërisë për transportin rrugor, kompania austriake vlerësoi se Shqipëria duhet të investonte në infrastrukturën e autostradave të kategorisë A fillimisht në qendrën e vendit, përkatësisht nga Thumana në Rrogozhinë dhe nga Durrësi në Elbasan, duke vlerësuar projeksionet për rritje të madhe të popullsisë dhe aktiviteteve ekonomike në qendrën e vendit.
Kompania austriake Strabag AG, pas studimeve, vlerësoi këto dy segmente me fizibilitet të lartë për t’u ndërtuar, kundrejt pagesës (maksimumi 0.06 cent për kilometër) për shkak të fluksit të lartë të lëvizjes. Këto akse duhet të ndërtoheshin të parat, sipas propozimeve të ekspertizave vendase dhe të huaja, sugjeron inxhinieri i njohur i infrastrukturës rrugore, Faruk Kaba.
Më tej, projektet e rrugëve duhet të zhvilloheshin në drejtim të periferive me përparësi lidhjen me infrastrukturën rajonale dhe atë europiane nëpërmjet Korridorit 8 dhe atij Adriatiko-Jonian.
Mirëpo ajo që qeveritë shqiptare kanë bërë pas studimeve dhe propozimeve të ekspertëve ka qenë krejt e kundërta.
Qeveria Berisha shpalli përparësi investimet në Rrugën e Kombit, duke përqendruar burimet financiare të buxhetit në këtë projekt gjatë një dekade.
Qeveritë e drejtuara nga Rama, pas vitit 2014, i kanë përqendruar investimet në Jug, në akse që u shërbejnë zhvillimeve të turizmit, teksa qendra e vendit ka mbetur me deficite të mëdha në infrastrukturë, kurse Tirana përballet me mbingarkesë për shkak të zgjidhjeve të munguara në portat dalëse, sidomos drejt Veriut.
Eksperti Kaba thotë se tani, 34 vite pas fillimit të tranzicionit, Shqipëria duhet të kishte përfunduar infrastrukturën rrugore dhe duhet të zhvillonte linjat e shpejta të transportit hekurudhor.