Darmen Keli, 25-vjeçari i cili dyshohet se vrau me thikë Amarildo Hoxhallarin mbrëmjen e se shtunës në zonën e Astirit, ka dëshmuar në polici se sherri ndodhi pasi Amarildo së bashku me shokun e tij i ngacmuan të fejurën.
“Pashë nga ballkoni i banesës dy persona me motor që po ngacmonin me fjalë të fejuarën. Pas kësaj i thirra për të ndaluar por më ofenduan dhe kur zbrita u konfliktuam fizikisht. Në sherr e sipër kam qëlluar disa herë me thikë Hoxhallarin, por nuk kisha për qëllim ta vrisja”, thuhet në dëshminë e të dyshuarit, raporton Top Channel, transmeton Klankosova.tv.
Sherri banal mes dy të rinjve përfundoi në një ngjarje tragjike.
34-vjeçari Amarildo Hoxhallari u përplas fillimisht me fjalë me 25-vjeçarin Darmend Keli, i cili e goditi katër herë me një thikë në gjoks dhe në këmbë. 34-vjeçari u dërgua menjëherë në spitalin e Traumës, por rreth 1 orë pas ngjarjes ndërroi jetë për shkak të plagëve të rënda.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë dhe ato të Forcës së Posaçme “Shqiponja” arritën të arrestonin autorin vetëm pak minuta pas kryerjes së krimit. Ndërkohë është arrestuar dhe shoku i viktimës Amarildo Hoxhallari, ku dyshohet se ai ka qenë në gjendje të dehur gjatë kohës që drejtonte motorin dhe që të dy se bashku kanë intimiduar me fjalë të dashurën e Darmen Kelit.
Grupi hetimor po vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, që shkaktoi tronditje tek qytetarët e shumtë që ndodheshin aty pranë, pasi konflikti ndodhi në një zonë mjaft të populluar.