Biokarburantet, projektligji: Përdorimi rritet 1% çdo vit deri në 2030, përjashtime nga taksat

Shqipëria

Biokarburantet, projektligji: Përdorimi rritet 1% çdo vit deri në 2030, përjashtime nga taksat

Më: 27 gusht 2024 Në ora: 08:15
Ilustrim

Qeveria synon që të rrisë përdorimin e biokarburanteve me 1 për qind çdo vit për të arritur në fund të 2030 gradualisht në 7 për qind.

Një projektligj i hedhur për konsultim nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nënvizon se kjo masë ka për objekt promovimin e prodhimit dhe të përdorimit të Burimeve të Energjisë së Rinovueshme për sektorin e Transportit, nëpërmjet përdorimit të biokarburanteve për zëvendësimin e një pjese të nënprodukteve të naftës me lëndë djegëse jo fosile për motorët me djegie të brendshme.

Draftligji “Për prodhimin, transportimin, tregtimin dhe përdorimin e biokarburanteve dhe të lëndëve të tjera djegëse, të rinovueshme, për transport” parashikon në 18 nene mënyrën sesi do të aplikohet teksa parashikon si vitin e parë të zbatimit vitin 2025.

“Shqipëria është e angazhuar në kuadër të Acquis të plotësojë Objektivin kombëtar për Energjinë e Rinovueshme. Sasia minimale vjetore në treg e biokarburanteve dhe e lëndëve të tjera djegëse, të rinovueshme, për transport, të cilat plotësojnë kriteret e qëndrueshmërisë në përputhje me nenin 6 të këtij ligji dhe reduktimit të emetimeve të gazeve serrë për biokarburantet, duhet të jetë jo më pak se 1 për qind të sasisë të konsumi perfundimtar te lendeve djegëse në sektorin e transportit në vitin 2025. Nga viti 2026 deri në vitin 2030 kjo sasi do të rritet gradualisht me 1% te vit me synim qe ne vitin 2030 te jete jo me pak se 7%“, thuhet në relacionin që shoqëron ligjin.

I njëjti nënvizon se qëllimi i ligjit është të krijohen politika te tilla nxitëse për kultivimin të bimëve energjetike në Shqipëri dhe mundësinë e përdorimit te biomasave me origjine te ndryshme per te garantuar mbrojtjen e mjedisin nëpërmjet respektimit të kritereve të qëndrueshmërisë dhe reduktimit të emetimeve të gazeve serrë për biokarburantet, biolëngjet dhe lëndët djegëse nga biomasa, si dhe plotësimin e kërkesave për cilësinë e karburanteve në sektorin e transportit referuar parashikimeve në direktivën 2018/2001KE, të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit, datë 11 Dhjetor 2018, “Mbi promovimin e përdorimit të energjisë nga burimet e energjive të rinovueshme”, amenduar se fundmi me direktivën.

Nxitja e përdorimit të biokarburanteve dhe regjimi fiskal për prodhuesit parashikohet të shoqërohet me lehtësi .

“Zbatimi i regjimeve fiskale lehtësues për biokarburantet me qellim rritjen e përdorimit dhe konkurrimin me çmimin. Lehtësitë dhe përjashtime fiskale ne lidhje me sasitë e biokarburanteve te pastra 100% bio, pa përfshirë pjesën e nënprodukteve respektive të prodhuar nga përpunimi i naftës bruto, që hidhen në treg, te cilat do te përcaktohen në ligjet respektive të tatimeve dhe taksave”, thuhet në relacion.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat