Për herë të nëntë, banorët e Krujës dhe Fushë Krujës kanë mbajtur dje një protestë në aksin Thumanë-Kashar. Banorët protestojnë ndaj mënyrës si është ndërtuar autostrada, pasi sipas tyre, ky aks nuk parashikon asnjë hyrje dhe dalje për zonat e tyre. Edhe dje pati përplasje me policinë, teksa banorët bllokuan autostradën në disa pika. Banorët shprehin shqetësimin pasi ndjehen të izoluar prej kësaj rruge dhe bizneset e tyre po falimentojnë.
Ndërkohë banorët e Thumanës, Krujës, Fushë-Krujës dhe fshatrave përreth kanë kallëzuar në SPAK për akuzat e ‘Shpërdorimit të Detyrës’, ‘Korrupsionit’, ‘Shkeljes së Barazisë në Tendera’, ‘Falsifikimit të Dokumentave’ zv/kryeministren Belinda Ballukun, Ministrinë e Energjisë dhe Infrastrukturës, ARRSH dhe të gjithë institucionet që kanë marrë pjesë në tenderin e autostradës Thumanë-Kashar. Dokumenti është firmosur nga të gjithë protestuesit dhe do të dorëzohet SPAK që të hetojë shkeljet që janë bërë në tenderin e rrugës Thumanë-Kashar. Kujtojmë se deri në katër herë më shumë se rrugët europiane i ka kushtuar Shqipërisë koncesioni Thumanë-Kashar.
Një raport i Bankës Europiane të Investimeve tregon se në 2021, një kontratë koncesionare për ndërtimin e një autostrade në Çeki 32 km të gjatë, si dhe mirëmbajtje për 28 vite do të kushtojë 16.5 milionë euro/km. Ndërkohë një koncesion tjetër, Kekava Bypass në Letoni, ndërtim dhe mirëmbajtje për 20 vjet do të kushtojë 14.2 milionë euro/km.
Në Shqipëri, Gener 2 ka planifikuar një koncesion me vlerë 1.3 miliardë euro për 35 vite. Ndërtimi, mirëmbajtja dhe transferimi i saj do të kushtojë 61.9 milionë euro/km, vlerë 3 deri në 4 herë më e lartë se partneritetet europiane. Vlera është shumë më e lartë krahasuar edhe me vetë shifrat e qeverisë shqiptare, e cila në Listën e Investimeve Strategjike 2019-2020 zbulonte se me fondet e veta rruga do të ndërtohej për 169 milionë euro.
Ndërkohë me marrëveshjen e re të negociuar nga qeveria, tarifa për rrugën do të indeksohet me inflacionin dhe në 8 vitet e para shteti vendos garanci prej 22.8 milionë eurosh që të mblidhen të ardhurat e planifikuara.
Koncesionarit i njihet dhe e drejta për të mbledhur të ardhurat shtesë, për të cilat do paguajë vetëm një tatim-fitim. Në këto kushte, barra e tarifës mbi qytetarët e bën ndërtimin e kësaj autostradë më të kushtueshme edhe se autostradat e cilësisë “A” në Greqi dhe Itali. Por, projektet infrastrukturore në Shqipëri kanë treguar se përveç kostove të larta nuk ofrojnë as sigurinë për qytetarët. Rrugët, të cilat edhe pse kanë gllabëruar miliona e miliona euro janë një rrezik i vazhdueshëm për qytetarët shqiptarë të cilët udhëtojnë çdo ditë, për shkak se mirëmbajtja është një proces që bëhet me hope.