Rregullorja e re/ Nuk ulen penalitetet për tërheqjet e parakohshme nga fondet private të pensioneve

Shqipëria

Rregullorja e re/ Nuk ulen penalitetet për tërheqjet e parakohshme nga fondet private të pensioneve

Më: 3 shtator 2024 Në ora: 08:27
Foto ilustrim

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) miratoi së fundmi rregulloren “Për përcaktimin e penaliteteve të zbatuara në rastin e tërheqjes së parakohshme nga fondi i pensionit privat”.

AMF përfundimisht është tërhequr nga ndryshimet e propozuara në versionin e hedhur për konsultim publik dhe ka lënë në fuqi penalitetet e parashikuara në rregulloren aktuale.

Sipas rregullores, penaliteti do të jetë jo më pak se 2% dhe jo më shumë se 5% të aktiveve të tërhequra, për çdo tërheqje të parakohshme të kryer pas 20 vitesh nga data e kontributit të parë; jo më pak se 5% dhe jo më shumë se 10% të aktiveve të tërhequra, për çdo tërheqje të parakohshme të kryer në periudhën kohore që fillon, pas 10 vitesh nga data e kontributit të parë deri në 20 vjet, përfshirë edhe vitin e 20-të; jo më pak se 10% dhe jo më shumë se 15% të aktiveve të tërhequra, për çdo tërheqje të parakohshme të kryer në periudhën kohore që fillon, pas 5 vitesh nga data e kontributit të parë deri në 10 vjet nga data e kontributit të parë, përfshirë edhe vitin e 10-të; jo më pak se 15% dhe jo më shumë se 20% të aktiveve të tërhequra, për çdo tërheqje të parakohshme të kryer në periudhën kohore deri në 5 vjet nga data e kontributit të parë, përfshirë edhe vitin e pestë.

Në variantin e hedhur për konsultim publik në fillim të këtij viti, AMF propozonte penalitet deri në 15% të aktiveve të tërhequra, për çdo tërheqje të parakohshme të kryer në periudhën kohore nga data e kontributit të parë, deri në 5 vjet, përfshirë edhe vitin e pestë.

Kjo masë penaliteti propozohej të zbatohej për shoqëritë administruese të cilat aplikojnë një tarifë vjetore administrimi deri në 1.5 % të vlerës neto të aktiveve të fondit. Në rastet kur tarifa vjetore e administrimit është mbi 1.5 % deri në 2.5% të aktiveve, masa e penalitetetit propozohej deri në 10% e aktiveve të tërhequra.

Në rastet e tërheqjeve të parakohshme të kryera në intervalin nga 5 deri në 10 vite si anëtar i fondit të pensionit, përfshirë këtu edhe vitin e dhjetë, projektrregullorja propozonte që penaliteti ishte jo më shumë se 10% e aktiveve të tërhequra. Në rastet kur tarifa vjetore e administrimit ishte mbi 1.5 % deri në 2.5% të aktiveve, masa e penalitetetit propozohej deri në 5% e aktiveve të tërhequra.

Sipas projektrregullores së propozuar, penalitetet do të llogariteshin deri në vitin e dhjetë të anëtarësisë në fond, ndërsa përtej këtij afati, për anëtarin nuk do të ketë penalitete për tërheqjet e parakohshme.

Por, skema e parashikuar në projektrregullore u kundërshtua nga të gjitha shoqëritë administruese. Disa prej tyre kërkonin penalitete më të larta, ndërsa një tjetër propozonte që penalitetet të uleshin, duke qenë se nivelet e propozuara ishin ndër më të larta në Europë.

Pas konsultimeve, AMF është tërhequr nga propozimet e saj dhe përfundimisht ka vendosur të mos ndryshojë asgjë në dispozitat që lidhen me afatet dhe masat përkatëse të penaliteteve. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat