Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka ngritur shqetësime të forta për situatën e sigurisë në vend, duke akuzuar krimin dhe bandat për aktivitet të pandërprerë në çdo zonë të kryeqytetit dhe përballë një policie që sipas tij nuk arrin të reagojë si duhet.
Salianji ka theksuar se krimi dhe bandat nuk njohin frikë dhe se nuk ka pasur përpjekje të mjaftueshme nga autoritetet për të përballuar këtë sfidë.
“Ngjarjet e pafundme janë një tabelë e degradimit të vazhdueshëm dhe rënies së sigurisë dhe rendit publik,” u shpreh ai.
Salianji ka kritikuar ashpër forcën policore, duke e akuzuar se “policia as parandalon, as kap; vetëm informon si një agjenci lajmesh.”
Ai gjithashtu ka pretenduar se në rastet kur zyrtarë të Partisë Socialiste janë të përfshirë në krime, roli i policisë është ai i mbuluesit të ngjarjes dhe manipulimit të informacionit.