Shtetet e Bashkuara pret që puna e Komisionit Anti-korrupsion të jetë transparente dhe në përputhje me Kushtetutën.
Në një reagim në rrjetin social X, ambasada amerikane shprehet se do të angazhohet me këtë komision, si një partner i palëkundur i përpjekjeve të Shqipërisë për anëtarësimin në BE.
“Si një partner i palëkundur i përpjekjeve të Shqipërisë për të çuar përpara reformat e nevojshme për anëtarësimin në BE, Ambasada e SHBA do të angazhohet me komisionin “ad hoc” për qeverisjen e mirë, anti-korrupsionin dhe sundimin e ligjit. Pritshmëritë tona janë që puna e komisionit të jetë gjithëpërfshirëse dhe transparente, të përputhet me Kushtetutën, të mbrojë pavarësinë e institucioneve dhe të përmirësojë të ardhmen e Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e ambasadës.
Ky komision, një nismë e propozuar nga PS, u miratua me 74 vota pro dhe 6 kundër në parlament në fund të Majit. Në disa mbledhje të këtij komisioni, të drejtuar nga Fatmir Xhafaj, opozita ka bojkotuar.