Kjo është pamja që ka mbetur pas në fabrikën e plastikës në Elbasan që dy ditë më parë u përfshi nga zjarri.
Flakët e përmasave gjigandë dhe shtëllungat e tymit që vërshuan në qiell pas djegies së lëndëve plastike shkaktuan ndotje ajri në qytet. Fabrika prodhonte arka dhe tuba plastike, por pranë vatrës ishte edhe një magazinë me bateri, e cila fatmirësisht nuk u dogj.
Sipas një reagimi zyrtar të policisë, shkak për zjarrin u bë një shkëndijë elektrike, por hetimet janë ende në fazën paraprake. Një ditë më parë policia shpalli në kërkim administratorin e fabrikës në Bradashesh, por ende nuk ka asnjë gjurmë të 54-vjecarit me iniciale K.B.
Hetimi penal ka nisur si pasojë e ndotjes që ka shkaktuar tymi i çliruar në ajër, përfshirë edhe mungesën e masave për zjarret. Por se sa e dëmshme është plastika që u dogj nga kjo fabrike, e shpjegon eksperti i mjedisit.
“Nga djegia e plastikës u krijua një lloj nebuloze tymi dhe bloze që u ngjit lart në qiell zuri edhe diellin. Ishte një ngjarje e jashtëzakonshme, se ka ndotje në Elbasan por kjo ishte e befasishme. Kuptohet ne formë aksidentale, por që çdo aksident ka një paraprijë ka një lloj prevenimi. Duhet patjetër të kishte marrë masa vetë pronaret e objektit që të mos ndodhin gjëra të tilla, sepse këtë e paguan shëndeti i njerëzve. Sëmundjet që vijnë nga kjo janë sëmundje të mushkërive, të gjakut, sëmundje të ndryshme të lëkurës, që janë me pasoja të rënda për shëndetin”,-tha Ahmet Mehmeti, ekspert mjedisi.
Zjarri i përmasave të mëdha vuri në rrezik edhe zonën përreth duke shkaktuar frikë dhe ankth tek kalimtarët, por edhe tek banorët e fshatit ngjitur me fabrikën e plastikës.
Ndërhyrja e menjëhershme e zjarrfikëses bëri të mundur evitimin e përhapjes së zjarrit në fabrikat ngjitur, ndërsa fatmirësisht nuk pati të lënduar, edhe pse të gjithë punëtorët ndodheshin në punë në momentin e flakëve.