Mes emocioneve dhe entuziazmit të nxënësve, e mësuesve ka nisur viti i ri shkollor 2024-2025 edhe në Bulqizë për 2963 nxënësit në të gjithë rrethin.
Ashtu si në të gjithë vendin edhe në Bulqizë ka parur një rënie të vogël të numrit të nxënësve, si për klasat e para ashtu edhe për klasat e dhjeta.
Sipas zyrës arsimore Bulqizë aktualisht në bankat e shkollës do të ulen për herë të parë 272 nxënës dhe në klasat e 10-të të gjimnazit do të ulen 171 nxënës.
Në nisjen e ditës së parë të shkollës Kryetarja e bashkisë së Bulqizës Festime Mjeshtri u shpreh se “këtë vit të gjitha shkollat janë sistemuar me ambiente të mira dhe se do të kemi gjithë vëmendjen që nxënësit e të gjitha shkollave të kenë kushte sa më të mira”.
Ndërkohe në nisjen e vitit të ri shkollor policia e komisariatit të Bulqizës ka qenë në gatishmëri në të gjitha shkollat ku ka garantuar rend dhe qetësinë.