Ministri Malaj: Nevojitet skemë më e qëndrueshme e pensione më të larta

Shqipëria

Ministri Malaj: Nevojitet skemë më e qëndrueshme e pensione më të larta

Më: 10 shtator 2024 Në ora: 08:04
Foto ilustrim

Ministri i Financave, Petrit Malaj deklaroi dje se sfidat me të cilat po përballet jo vetëm Shqipëria por të gjitha ekonomitë, siç është ajo demografike shtron nevojën e rishikimit të skemës së pensioneve për të siguruar një skemë më të qëndrueshme e pensione më të larta. Në përgjigje të interesit të deputetëve në Komisionin e Ekonomisë, ku po diskutohen ndryshimet e buxhetit të këtij viti, përmes një akti normativ, Malaj u shpreh se po shikohen disa skema në bashkëpunim edhe me ekspertë ndërkombëtarë.

“Skema e pensioneve, bërë në 2015 nuk ka dështuar. Por ka nevojë të rishikohet, sepse në kohën që është bërë, skema e pensioneve vendi nuk kishte këto sfida që ka aktualisht, ku një nga sfidat kryesore është çështja e demografisë“, u shpreh ai. Sa kohë ne kemi këtë sfidë vijoi Malaj, është e nevojshme që skema e pensioneve të rishikohet. “Sepse kemi një skemë që nuk është e qëndrueshme, pasi hendeku është i tillë që do të duhet të subvencionohet nga buxheti i shtetit. Do të duhet të gjejmë një skemë që jo vetëm garanton qëndrueshmërinë e vet, por edhe që siguron më shumë të ardhura për pensionet”, deklaroi Malaj

Malaj theksoi se qeveria e ka prioritet rritjen e pensioneve.

“Në bashkëpunim me MEKI-n dhe ekspertë ndërkombëtarë po punojmë për të vlerësuar se cilat janë skemat që janë të qëndrueshme edhe në kohë, duke marrë parasysh sfidat me të cilat përballet sot ekonomia, jo vetëm shqiptare por ekonomia globale. Pasi çështja e demografisë nuk është vetëm problematikë shqiptare, por një problematikë botërore. Dhe nga ana tjetër një skemë që siguron pensione më të larta për kategorinë e pensionistëve për të cilën qeveria shqiptare e ka si prioritet për ta adresuar”, nënvizoi ministri i Financave, Petrit Malaj.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat