Kryetarja e parlamentit Elisa Spiropali, në takimin “Shtegëtarë të Shpresës, ndërtues të Paqes”, organizuar në Kuvend, me vajza e djem nga vendet e Mesdheut dhe Detit të Zi dha disa mesazhe të rëndësishme. Spiropali tha se Shqipëria është vendi i duhur, ku mbizotëron toleranca etnike e fetare.
“Të dashura vajza e djem nga Maroku, Algjeria, Tunizia, Egjipti, Turqia, Armenia, Gjeorgjia, Rumania, Bulgaria, Greqia, Kroacia, Kosova, Bosnje- Hercegovina, Malta, Italia, Spanja, Shqipëria dhe vende të tjera.
Mirë se ardhët në Shqipëri, në Tiranë dhe në Kuvendin e Shqipërisë. Të dashur Monsignor Arjan Dodaj dhe Atë Alexis Leproux,
Të nderuar miq,
Ndjehemi të vlerësuar që, në vijim të takimit me të rinjtë që u zhvillua në shtator 2023 me Papa Françeskun në Marsejë, Kuvendi i Shqipërisë ka nderin të mirëpresë takimin e radhës MED 24 në Tiranë.
Si një stacion tjetër i kontributeve për paqe, harmoni e mirëkuptim, në zbatim të porosisë së Papa Françeskut në Marsejë se “të rinjtë e mirëformuar dhe të orientuar drejt frymës së vëllazërisë mund të hapin dyer të papritura të dialogut dhe të kontribuojnë në ndërtimin e një bote më të drejtë dhe paqësore”.
U lumturova sot në mëngjes kur ndoqa video-mesazhin e Papa Franceskut drejtuar këtij takimi, i cili, siç nënvizoi Ati i Shenjtë, “Zhvillohet 10 vjet pas udhëtimit tim të paharrueshëm në Shqipëri. Ju, të rinjtë e pesë brigjeve të Mesdheut, jeni brezi i ri dhe aveniri i rajonit të Mesdheut. Vëllazërimi mes pesë brigjeve të Mesdheut është përgjigja më e mirë që ne mund t’u japim konflikteve e indiferencave vrasëse. Përpiquni bashkarisht të kapni sinjalet e kohës.”
1.
Të dashur miq,
Ju sot keni ardhur në Shqipëri, në vendin e duhur ku mund të flitet për rolin e besimeve fetare si instrument për paqen. Në vendin ku harmonia fetare është një përmasë vitale e jetës shpirtërore, një vlerë universale e botës shqiptare. Në vendin ku besimet dhe ndjenjat fetare mbijetuan, pas imponimit për gjysëm-shekulli të një ateizmi shtetëror.
Toleranca fetare e njohur e shqiptarëve ka kontribuar që besimet fetare të bëhen pjesë e jetës shpirtërore e shoqërore dhe komunitetet fetare të shkëmbejnë vlerat e tyre më të arrira. “Kisha jote është edhe kisha ime” thotë një fjalë e urtë. Në Shqipëri kjo është jetërsuar në sentencat “Xhamia jote është dhe imja. Teqeja jote është dhe imja.”
Kjo që po ju them nuk është sajesë dhe as retorikë. Është një realitet. Besimtarët shqiptarë jo vetëm festojnë festat fetare të besimeve të tjera, ndajnë me ta gëzimet e ngjarjeve të shënuara fetare, por edhe frekuentojnë institucionet e besimeve të tjera. Mos u çudisni kur shihni të krishterë në xhami, ose bektashinj në kishë. Nuk shkojnë për kuriozitet, por për të respektuar besimin e të tjerëve.
Këtë mund ta konstatoni edhe vetë gjatë vizitave që do të bëni në institucionet fetare shqiptare, ku do të prekni nga afër rolin e Shqipërisë si një shembull i harmonisë fetare dhe promotor i paqes.
Mirëkuptimi dhe toleranca janë jo vetëm një pasuri e jetës së shqiptarëve, por edhe një referencë dhe mësim i madh për të gjithë ne. Sidomos për ne politikanët.
Në duhet të mësojmë nga toleranca dhe mirëkuptimi fetar. Jo vetëm këtu në Shqipëri, por kudo në vendet tuaja.