Qeveria ka vendosur ngritjen e Korporatës Shqiptare të Investimeve, ku shteti vë në dispozicion pronat publike dhe më pas fton në konkurs investitorë vendas e të huaj për ndërtimin e projekteve, nga ku shteti do të përfitojë si pronar i truallit një infrastrukturë të re për institucione publike.
Juria ndërkombëtare zgjodhi të martën studiot arkitekturore për dy projektet e para të Korporatës Shqiptare të Investimeve për 4 zhvillime të reja.
Për grupin e parë, për lotin e parë, për strukturën administrative u zgjodhën studiot COLDEFY (Francë) dhe Snohetta.
Për lotin e 2 u zgjodhën studiot ANDREA CAPUTO (Itali) dhe SO-IL (SHBA).
Për grupin e dytë për lotin një dhe dy u zgjodh e njëjta studio BAUKUH (Itali) dhe studio Snohetta (Norvegji).
Kryeministri Edi Rama kërkoi dhënien fund të pagesave miliona euro në vit qira për godinat e institucioneve të ndryshme.
Kryeministri tregoi se Korporata Shqiptare të Investimeve, ose ndryshe Albanian Investment Corporation (AIC) do të bashkëpunojë me dy agjenci të mirënjohura në Europë.
Ndërtime bazuar në arkitekturë të mirë tha kryeministri i shërbejnë edhe turizmit.
Këtë mëngjes Rama ka publikuar dy projektet fituese.
“Mirëmëngjes dhe me projektet fituese të të parit konkurs ndërkombëtar, ku shteti përmes Korporatës Shqiptare të Investimeve (AIC), përfiton në rolin e pronarit, katër projekte të cilat do të hidhen në garë të hapur për ndërtimin me sipërmarrje të një kompleksi administrativ, për sistemimin e një numri të konsiderueshëm institucionesh publike, të kompleksit të ri të Kadastrës Shtetërore, si edhe të dy godinave multifunksionale, duke kursyer kësisoj miliona euro në vit që shkojnë për zyra me qira e duke krijuar gjithashtu një platformë të re zhvillimi të pronës publike, sipas modeleve më të mira europiane, si edhe transformimi të infrastrukturës së shërbimit publik në funksion të Vizionit Shqipëria 2030, ju uroj një ditë të bukur”, shkruan Rama.