Gara për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë, deri tani 8 kandidatë, kush janë pretendentët, karriera dhe detyrat

Shqipëria

Gara për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë, deri tani 8 kandidatë, kush janë pretendentët, karriera dhe detyrat

Më: 19 shtator 2024 Në ora: 08:32
Policia shqiptare

Gara për postin e drejtuesit të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit ka tërhequr vëmendjen e disa emrave. Kështu mësohet se janë disa emra që kanë dorëzuar kandidaturën e tyre. Emrat më potencialë deri tani janë ata me karrierë më të gjatë nga kandidatët e zyrtarizuar; Rebani Jaupi, Pëllumb Seferi dhe Ardian Çipa. Drejtori i ri duhet të jetë aktualisht funksionar i Policisë së Shtetit, në detyrë dhe me gradë, gjë që pritet që përjashtojë të parin nga gara ish-kryepolicin Shemsi Premçi.

Mëngjesin e ditës së sotme pritet të ketë reagim zyrtar për emrat kandidatë dhe listën e plotë, teksa do nisë edhe faza e garës. Komision Ad-Hoc me 3 anëtarë; drejtori i AMP, Sekretarja e Ministrisë së Brendshme dhe një punonjës i ministrisë. Kandidatet deri tani për postin e drejtorit të Policisë së Shtetit janë: Pëllumb Seferi, Rebani Jaupi, Adriatik Tafçiu, Ilir Proda, Altin Mena, Ardian Çipa, Idajet Faskaj dhe Shemsi Prençi. Një emër i nëntë që pritet të aplikojë si kandidat është edhe drejtori aktual i Policisë Durrës, Skënder Hitaj.

Kandidatët janë oficerë të lartë me gradat Drejtues dhe Drejtues i Parë, pasi grada është një nga kriteret kryesore që përfshin automatikisht me pikë vlerësimi kandidatin. Lista me renditjen e emrave të renditur nga i pari me më shumë pikë i dërgohet ministrit të Brendshëm dhe ky në fund ia dërgon Kryeministrit, ku ka të drejtë të vendosë emrin e parë të preferuar dhe në fund është kreu i qeverisë që vendos. Por kush janë kandidatët, postet që mbajnë dhe karriera e tyre?

Rebani Jaupi, një nga emrat më potencialë, nëndrejtor i Policisë së Shtetit, ka qenë dy herë drejtor i Policisë së Tiranës, drejtor në Berat, Drejtor i Rendit dhe Sigurisë në Policinë e Shtetit, i Antiterrorit në Tiranë, si dhe i Krimit Ekonomik në Departamentin Kundër Krimit të Organizuar në Policinë e Shtetit. Aktualisht drejtor për Rendin dhe Sigurinë Publike, në Policinë e Shtetit. Një karrierë që përfshin nga vitet 2004 deri aktualisht.

Pëllumb Seferi, aktualisht drejtor i Departamentit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare.

Idajet Faskaj, aktualisht shef i Interpol Tirana. Faskaj ka qenë drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes së Dëshmitarëve më parë dhe me detyra të tjera të larta, si kreu i Antidrogës në Policinë e Shtetit dhe drejtor i Drejtorisë Kundër Krimit të Organizuar në Policinë e Shtetit në dhjetë dekadat e fundit.

Adriatik Tafçiu, ish-shef i Kurikulave në Akademinë e Sigurisë, ka mbajtur edhe detyrën e ish-nëndrejtorit të Policisë Dibër më 2017, pas vitit 2018 nëndrejtor i Policisë së Lezhës.

Altin Mena, aktualisht nëndrejtor i Policisë së Lezhës, ish-nëndrejtor për Hetimin e Krimit Rendin dhe Sigurinë në Lezhë më 2023, ish-shef i Policisë Rrugore Lezhë më 2018, shef i Komisariatit Berat më 2022.

Ardian Çipa, aktualisht kryepolic i Gjirokastrës. Ish-shef i Komisariatit nr. 3 deri më 2005 dhe ish-shef i Krimeve, ish-drejtor i Policisë Elbasan, pas 2006, ish-drejtor i Policisë Tiranë 2013, ish-nëndrejtor i Policisë në Vlorë dhe Elbasan, në periudhën 2012-2013, ish-drejtor i Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit deri më 2017. Shihet si një nga kandidatët potencialë.

Ilir Proda, drejtori aktual i Policisë së Elbasanit. Momentalisht i është marrë telefoni për verifikim në lidhje me dosjen e “Çopjave”. Më herët ka qenë edhe shef i Komisariatit nr. 2 dhe me detyra në Drejtorinë e Policisë së Shtetit, deri në emërimin e tij në Elbasan.

Shemsi Premçi, ish-truproja e Sali Berishës deri në vitin 2005 kur ishte në opozitë dhe më tej me detyra të larta në Policinë e Shtetit, si drejtor qarqesh, kryesisht në Fier, Elbasan dhe Dibër. Ka drejtuar edhe forcat speciale, por edhe Emergjencat Civile në Ministrinë e Mbrojtjes pak vite më parë. Për shkak se nuk ka funksion aktual në Polici, një nga kriteret, pritet që të jetë ndër të skualifikuarit e mundshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat