Begaj pranon letrat kredenciale dhe takohet me ambasadoren e Hungarisë: Bashkëpunim politik midis dy vendeve!

Shqipëria

Begaj pranon letrat kredenciale dhe takohet me ambasadoren e Hungarisë: Bashkëpunim politik midis dy vendeve!

Më: 19 shtator 2024 Në ora: 12:34
Foto nga takimi

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti sot, me rastin e paraqitjes së Letrave Kredenciale, Ambasadoren e Jashtëzakonshme dhe Fuqiplotë të Hungarisë në Shqipëri, Znj. Martina Kasnyik.

Gjatë këtij takimi, Presidenti i Republikës vlerësoi bashkëpunimin shumë të mirë politik midis dy vendeve, i cili mbështetet në një miqësi tradicionale dhe një marrëdhënie që shtrihet në mjaft fusha të interesit të përbashkët.

Shkëmbimi i vizitave në nivelet më të larta të autoriteteve të dy vendeve ka ndihmuar në intensifikimin e kësaj marrëdhënieje, e cila gëzon një traditë që daton nga koha e aleancës strategjike midis Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeut, dhe Heroit Kombëtar hungarez, János Hunyadi.

Kreu i Shtetit e vlerësoi mbështetjen e Hungarisë për integrimin evropian të Shqipërisë si të një  avokati shumë aktiv, si dhe falënderoi Hungarinë për ekspertizën e vlefshme që po i ofron Shqipërisë në procesin paraprak të integrimit në BE.

“Shqipëria dhe Hungaria janë partnerë të  rëndësishëm në NATO. Ne i jemi  mirënjohës Hungarisë si vendi i parë që ratifikoi Protokollin e Aderimit të Shqipërisë në NATO”, – u shpreh Presidenti Begaj.

Gjithashtu, Presidenti Begaj u shpreh se e vlerëson shumë rritjen e vazhdueshme të bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve, vecanërisht investimet në fushën bankare, të komunikimit dhe të transportit, si dhe përshëndeti inkurajimin dhe mbështetjen hungareze për hapjen e tregut të saj për produktet shqiptare. Kreu i Shtetit veçoi si shumë të vlefshëm për rritjen e turizmit në Shqipëri vendimin e kompanisë WizzAir për të rritur numrin e fluturimeve direkte nga Tirana drejt destinacioneve të rëndësishme rajonale dhe ndërkombëtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat