Vendimi i Kushtetueses për studentët e Mjekësisë, Gjonaj shpjegon ndryshimet

Shqipëria

Vendimi i Kushtetueses për studentët e Mjekësisë, Gjonaj shpjegon ndryshimet

Më: 19 shtator 2024 Në ora: 18:48
Etilda Gjonaj

Etilda Gjonaj, deputete e PS-së, ka shpjeguar në Kuvend ndryshimet në ligjin për trajtimin e veçantë të studentëve të Mjekësisë, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Këto ndryshime adresojnë një nga sfidat më të mëdha që kemi përballë: mungesën e mjekëve, sidomos në zonat e izoluara dhe të largëta. Duke ofruar ndihmë financiare dhe incentivuar mjekët për të shërbyer në këto zona, për të siguruar që çdo qytetar, në çdo skaj të Shqipërisë, të ketë kujdesin shëndetësor që meriton.

Duke i dhënë mjekëve të ardhshëm më shumë mundësi për të avancuar në fusha të ndryshme të mjekësisë, në plane afatgjata do të rritet kapaciteti i përgjithshëm i sistemit tonë shëndetësor në të gjitha nivelet, nga niveli parësor deri tek ai spitalor.

Pra më shumë mjek të kualifikuar, infrastrukturë e përmirësuar, pajisje të reja, mjedise të përparuara për të ndërtuar një sistem shëndetësie, që do të garantojë standardet më të larta”, deklaroi Gjonaj.

Ajo tha se Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj ka përcaktuar dy momente, të cilat i ka konsideruar se duhet të rishikohet për të cilat ne kemi reflektuar ekzaktësisht me ndryshimet në projektligj.

“E para, lidhur me rishikimin e afateve të nenit 4 të ligjit me qëllim garantimin e parimit të porporcionalitetit të ndërhyrjes, deri në një kufi jo më të gjatë se 3 vjet. Nisur nga efekti detyrues për zbatimin e vendimit në pjesën arsyetuese dhe dispozitiv, kemi propozuar parashikimet e reja të dispozitave duke ju përmbajtur me përpikmëri këtyre detyrimeve.

Në vendimin e saj, Gjykata ka arsyetuar se e drejta për arsim të lartë parashikuar nga neni 57 pika 1 e Kushtetutës, është një e drejtë që orientohet nga shteti drejt krijimit, zhvillimit dhe përcjelljes dhe mbrojtjes së dijeve, kujfitë e të cilës mund të përcaktohen rast pas rasti edhe në varësi të nevojave dhe interesave të përgjithshëm publik duke ruajtur balancën midis të drejtave.

Ashtu sic gjykata vlerëson se e drejta për të zgjedhur punën e garantuar nga neni 49 /1 i Kushtetutës nuk është absolute dhe ajo mund të jetë e kufizuar në përputhje me kriteret e nenit 17 që lejon kufizimin e të drejtave vetëm me ligj. Për këtë arsye Gjykata ka shqyrtuar dhe arsyetuar lidhur më këtë ndërhyrje për nenin 17 në disa kritere kushtetuese:

1) ndërhyrja me ligj,

2) për interes publik dhe

3) nëse është respektuar kriteri i përpjesëtimit midis ndërhyrjes dhe gjëndjes që e ka diktuar atë.

Nga ky shqyrtim që është analizuar nga Gjykata Kushteteuese, rezulton se kriteret e kufizimeve për dy kriteret e parë e kanë kaluar filtrin e gjykatës, duke i dhënë legjitimitet ndërhyrjes. E thënë ndryshe, gjykata e ka konsideruar se vendosja e kufizimeve të të drejtave kushtetuese është kryer me ligj, dhe nga ligjvënësi ka patur si qëllim të sigurojë burimet njerëzore për kryerjen e shërbimeve të shëndetit publik në institucionet shëndetësore nëpërmjet përcaktimit të një trajtimi tëvecantë për studentët”, tha Gjonaj.

Sipas saj, Gjykata në paragrafin 61 ka vlerësuar se ka një interes publik që ka justifikuar ndërhyrjen në të drejtën e studentëve për punësim përsa kohë që me rregullimet ligjore të kundërshtuara synohet të garantohet ofrimi i shërbimeve shëndetësore në kuptim të nenit 55 pika të Kushtetutës dhe garantimit të standarteve të shëndetit publik.

Në vijim, deputetja socialiste tha se çështja e dytë që adresohet ka të bëjë me kërkesën e Gjykatës Kushtetuese për plotësimin e vakumit ligjor dhe plotësimin e ligjit me disa dispozita parashikuese në drejtim të:

1) Kritereve objektive të punësimit me prioritet

2) Trajtimit financiar të sigurimit të mjeteve të nevojshme të jetëses sipas nenit 49.1 dhe

3) Përllogaritjes së pagesës së përiudhës në pritje të kohë zgjatjen e detyrimit për punësim nëse shteti nuk ju siguron vend pune studentëve.

Në këtë kuadër, Gjonaj tha se “kemi propozuar në nenin 3 të këtij projektligji ndryshimin e nenit 6 të ligjit 60/2023, ku është përcaktuar se për studentin që përfundon studimet në institucionet publike të arsimit të lartë dhe ka nënshkruar marrëveshje sipas ligjit, fillimisht ndiqen procedurat për t’u punësuar në institucionet shëndetësore sipas nevojave në bazë të renditjes sipas notës mesatare të përfundimit të studimeve”.

“Nëse brenda 3 muajsh ministria nuk i punëson dot për arsye objektive dhe për shkaqe që nuk varen nga mjeku, mjekët kanë të drejtë të punësohen në institucionet shëndetësore private.

Në kushtet kur ai ndodhet në pamundësi punësimi edhe në institucionet shëndetësore publike mjeku trajtohet me 80% të pagës së mjekut të përgjithshëm në kujdesin parësor, për një periudhë jo më të gjatë se ky afat, ose mund të zgjedhin të punësohen në sektorin privat. Në çdo rast, ata kanë të drejtën për një punësim prioritar brenda 9 muajsh në institucionet publike”, tha ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat