Trafiku i mbetjeve/ Vetting zbulon dy kompanitë gjermane të lidhura me “Sokolaj” sh.p.k, fijet mbërrijnë deri në Pekin

Shqipëria

Trafiku i mbetjeve/ Vetting zbulon dy kompanitë gjermane të lidhura me “Sokolaj” sh.p.k, fijet mbërrijnë deri në Pekin

Më: 19 shtator 2024 Në ora: 20:24
Foto ilustrim

Teksa hulumtojmë se çfarë eksporton kjo kompani, “Sokolaj” sh.p.k në skenë dalin kompani të huaja, të cilat janë lidhura  me SOKOLAJ shpk.

Gjovana dhe Doni Sokolaj janë bashkëpronarë të kompanisë “Scholz” sh.p.k së bashku me kompaninë gjermane “Scholz Internationale Handelsgesellschaft”, e cila rezulton në pronësi të kompanisë “Scholz Holding GmbH”. Të dhënat nga Qendra Kombëtare e Biznesit nuk zbulojnë pronarët realë të kësaj kompanie.

Sipas informacioneve nga Open Data Albania, në 2016 “Scholz Holding GmbH” kaloi në pronësi të kompanisë më të madhe në Kinë në fushën e riciklimit të skrapit “Chiho Environmental Group Limited”.

Lidhjet kineze me Shqipërinë nuk janë rastësi sepse përpara dërgesës në Tajlandë, ka patur dërgesa të tjera tranzit që nuk lidhen vetëm me “SOKOLAJ” sh.p.k, por me kompani nga Kosova.

Sipas drejtori ekzekutiv i BAN, Jim Puckett: “Më herët ishin 115 kontenierë, për të cilët mësuam se do të shkonin në Kinë dhe autoritetet kineze i kanë bllokuar atë, akoma duke pritur aty, ndaj ne po përpiqemi të punojmë me kompaninë MAERSK për t’i rikthyer ato.

Deri tani kemi informacion vetëm për dy ngarkesa eksporti, e para e cila do të shkonte në Kinë në prill të këtij viti dhe u bllokua në Fengchengs, në portin Nansha të Kinës.”

Menjëherë pas denoncimit nga organizatat ndërkombëtare, në 21 gusht 2024 erdhi reagimi nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, e cila padashje zbuloi se ka patur ngarkesa të tjera me mbetje që janë trasportuar edhe më parë.

Eksperti mjedisit Rodion Gjoka shprehet “i vetmi në këtë mes që po themi ka realizuar një inspektim të denjë përsa i takon incentivave që kanë marrë sepse kjo incentiva e marrë nga konventa e Baselit, por edhe nga organizata me qendër në Bruksel përsa i takon këtij transporti apo kësaj sasie me mbetje toksike që po shkon në rrugë të jashtëligjshme, pra duke u konsideruar si koncentrat zinku, por nga krahu tjetër rezulton që nuk është thjesht koncentrat zinku, i vetmi institucion në këtë mes është autoriteti portual në Kinë, në Guangxi të Kinës”.

Në ndryshim nga homologët kinezë, doganat shqiptare deklaruan se për rastin në fjalë po bashkëpunojnë me OLAF, Zyrën e luftës kundra mashtrimeve në Bashkimin Europian.

Sipas doganave, rasti i cituar nga media nuk është eksport nga Shqipëria, por një tranzit ndërkombëtar i produktit koncentrat zinku nga Kosova. Pra, produkti është koncentrat zinku me origjinë nga Kosova me firmë dërguese/eksportuese Apfelbaum shpk me adresë Rr. Fehmi Agani, Prishtinë/Kosovë; Firma pritëse/importuese është ACHRO AG me bazë në Steinhausen Sëitzerland.

Doganat shtojnë se firma zvicerane ACHRO AG është urdhëruese sipas BILL OF LOADING (B/L) e kompanisë detare MAERSK për transportin e këtij produkti (LOW GRADE ZINC CONCENTRATE) me destinacion firmën pritëse GUANGXI LOGISTICS INDUSTRY INTERNATIONAL TRADE CO. LTD, NANNING, China.

Drejtori i “Apelbaum sh.p.k”, Arten Bajrushi, kompanisë së cilës Doganat iu referuan gabimisht si “Apfelbaum”, për “Vetting” u shpreh i habitur që doganat e kanë përmendur kompaninë e tij pasi nuk ka lidhje me rastin.

“Për çdo gjë lajmëroni kompaninë Achro zviceriane, e cila e ka blerë mallin në Kosovë. Ajo është blerësja e malllit, përndryshe sipas saj sepse i kam pyetur, nuk kanë lidhje me ata kontenierët që po kthehen.”

Drejtori Barjushi deklaroi se për më shumë informacione duhet të kontaktonim kompaninë zviceriane “Achro Ag”. “Vetting” arriti të kontaktonte Mostafa Azizin, i cili deri në mars 2024 ka qenë i punësuar te kompania zvicerane.

Sipas ish-punonjësit të “Achro Ag”, nga Trepça nuk mund të vinë mbetje të rrezikshme. I pyetur për testet nga dogana kineze Fengcheng në Portin e Nansha-s, Azisi refuzoi të komentonte rezultatet.

“Vetting” u përpoq të kontaktonte administratorin e “Achro Ag”, Arjan Dzemaili për të marrë një koment, por deri në publikimin e këtij materiali Djemaili dhe përfaqësues të tjerë të kompanisë ishin të paarritshëm.

Dokumentet nga dogana kineze, të cilat janë marrë nga organizata mjedisore zbulojnë se nuk kemi të bëjmë me koncentrat zinku për 115 kontenierët.

Drejtori ekzekutiv i BAN, Jim Puckett tregon: “Ne patëm këtë rastin në Kinë dhe burimi nga doganat na siguroi të dhënat për analizat e mbetjeve. Ne mësuam se Autoritetet Kineze morën testet e materialeve për t’i analizuar se çfarë përbërje kishin, të cilat treguan nivele të lartë të Plumbit, si rasti i materialeve toksike me nivel 8% të metalit të plumbit dhe burimi konfidencial na siguroi edhe dokumentet e porositësit.”

Të njëjtin mendim kishin dhe ekspertët mjedisorë, të cilët evidentojnë faktin se në rastin e kësaj ngarkese kemi të bëjmë me produkte nga industria e hekurit dhe çelikut.

Rodion Gjoka ekpert i mjedisit shprehet se “Rezultati i atyre është që nuk kemi vetëm koncentrat zinku në këtë mes paçka se shumica dallohet që është e atillë, por po themi kemi mbetje nga procesi i trajtimit metalurgjik të metalit. Pra, ata e definojnë si mbetje të një procesi industrial, ku ka brenda hekur, ku ka brenda squfur, zink, plumb, magnez dhe sasi të vogla bakri.

Kjo nuk është lëndë e parë mesa duket. Këtu kemi të bëjmë me mbetje të rrezikshme, të paktën nga sa shprehen autoritetet (kineze).”

Duke kontrolluar kontenierët që janë bllokuar nga dogana kineze dhe janë publikuar nga BAN Bazel, “Vetting” konfirmoi se këto janë ngarkesa me mbetje të rrezikshme që kanë dalë nga Porti i Durrësit duke u bazuar te sistemi i gjurmimit të kontenierëve.

Ngelet e paqartë se çfarë do të ndodhi me këta kontenier pasi në sistem nuk ka informacione se kur do të kthehen ndërsa kanë disa muaj të bllokuar në Portin e Nanshas në Kinë.

Autoritetet shqiptare e kanë mbajtur të fshehur ngarkesën me mbetje të rrezikshme, edhe pse janë informuar për rezultatet e testit. Vetëm pas denoncimit nga mediat ndërkombëtare, Doganat janë “detyruar” të pranojnë faktet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat