Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi thotë se partia nuk po mundohet të mbrojë mandatin e Olta Xhaçkës.
I ftuar në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, ku po diskutohet për dërgimin e kësaj çështjeje në Komisionin e Venecias, Klosi tha se kërkojnë një qëndrim për mënyrën se si votojnë deputetët.
“Fakt është që ne nuk kemi thënë se jemi pro apo kundër dërgimit të mandatit të Xhaçkës në GJK por krejt tjetër. Ne kemi kërkuar Komisionit të Venecias një qëndrim për këtë situatë, a duhet të jetë deputeti apo përfaqësuesi i parlamentit fare pa pasur një mënyrë se si të gjykojnë deputetët apo duhet të jetë meqenëse gjykata, një institucion shumë i lartë thotë se votoni kështu dhe deputetët duhet të votojnë. Vota e deputetëve ka vlerë apo është thjesht një certifikim i asaj që kërkon?
Ne kërkojmë që Venecia të japë një interpretim se ku është fuqia e votës së deputetit. GJK e ka hetuar çështjen e Xhaçkës, vetë Xhaçka ka dhënë shpjegim për mandatin e saj. Prandaj nuk ka një mbrojtje të mandatit të Xhaçkës por një kërkesë nga grupi parlamentar i PS të firmosur dhe nga kryetarja e kuvendit, drejtuar komisionit të Venecias për një shpjegim dhe është e shpjeguar, deputeti është i detyruar të votojë sipas vullnetit të tij apo një kërkese nga një institucion tjetër. Le të kemi një interpretim dhe do të kemi edhe një gjykim.“, tha Klosi.