Seanca në Apel për çështjen “Babale”, Salianji: Proces i montuar për interesa të partisë në pushtet

Shqipëria

Seanca në Apel për çështjen “Babale”, Salianji: Proces i montuar për interesa të partisë në pushtet

Më: 20 shtator 2024 Në ora: 13:55
Foto ilustrim

I shoqëruar nga përfaqësues të Partisë Demokratike, deputeti Ervin Salianji është paraqitur këtë të premte në Gjykatën e Apelit, ku ka ankimuar vendimin e 2019 të Shkallës së Parë që e dënoi atë me një vit burg për çështjen “Babale”.

Gjatë seancës në Apel (të cilën po e ndjek gazetarja e Klan News, Glidona Daci), Salianji ka thënë se denoncimet e tij janë provuar teksa ka shtuar: Geron Xhafa ishte i dënuar në Itali për drogë dhe ishte i lirë në Shqipëri dhe kishte vëllain ministër të brendshëm. Ne nxorëm dokumentin dhe e denoncuam, por s’pati asnjë reagim. Pasi ai lëvizi i lirë për 8 vite pas denoncimit, ai u vetëdorëzua në Romë për të vuajtur dënimin. E çuan qëllimisht në Itali, Agron apo Geron Xhafajn që të mos merrej zëri original i tij. Zëri i tij u dorëzua me një USB nga avokati.

Më tej, Salianji është shprehur se janë përdorur prokurorët dhe gjykatësit e çështjes: Të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët që janë përfshirë janë të gjithë të shkarkuar. I përdorën, i morën i hodhën. Gjyqtarët që janë marrë me çështjen janë të dy të shkarkuar.

Gjatë fjalës së tij në gjykatë, deputeti demokrat ka deklaruar se nuk ka asnjë njohje me Fredi Alizotin dhe Albert Veliun (Babalja).

Ervin Salianji: Përkojnë qelizat telefonike për të tre. Si ka mundësi që qelizat pulsojnë te lokali i Geron Xhafës? Apo edhe këtë e manipuluam neve? Më akuzojnë që kam dhënë para, 200 mijë Euro. Sms e parë ishte nga Olldashi, del nga tabulatet e përgjimit, që del qartë se hetimi është bërë nga gazetari Olldashi.

Salianji ka theksuar se denoncimin do ta bëjë prapë pasi detyra e tij është të mbrojë interesin publik. Një interes, për të cilin thotë se u mbrojt në momentin që Geron Xhafaj u arrestua.

Ervin Salianji: Denoncimin do ta bëj prapë se këtë punë kam, për të mbrojtur interesin publik. Dhe ky interes u mbrojt në momentin që ai (Geron Xhafaj) shkoi në burg. Pas regjistrimit i kam takuar në selinë e PD-së. Albert Veliu – Babalja e telefonoi Geron Xhafën në praninë time me një numër që ishte në dosje. Kishin marrëdhënie miqesore. Sa doli denoncimi, policia shkoi dhe mori djalin dhe gruan e Babales për t’i bërë presion.

Sipas Salianjit, ky proces është i montuar për interes të Partisë Socialiste.

Ervin Salianji: Po sjell fakte sesi ky është një proces i montuar për interesa të partisë në pushtet. Geron Xhafa zërin e vet e përgënjeshtron me shkrim, nëse nuk ishte ai dilte me zë e figurë. Nuk del njeriu të përgënjeshtrojë veten, por del me shkrim. Domethënë, ky zërin e vet e përgënjshtron me shkrim, edhe duhet të dënohem unë.

Avokatët Ledio Braho e Redi Ramaj kërkojnë prishjen e vendimit të Shkallës së Parë ndaj Salianjit dhe deklarimin e pafajshëm të tij.

Ndërkohë, Prokurori i Apelit, Arben Qose e ka vlerësuar të drejtë vendimin e Shkallës së Parë teksa ka  shtuar se shkaqet e ngritura në ankimimin e Salianjit nuk janë të mbështetur në ligjin procedurial penal.

Prokurori i Apelit, Arben Qose: E vlerësojmë të drejtë vendimim e gjykatës së Shkallës së Parë. Nuk evidentojmë shkelje procedrale gjatë gjykimit. Në lidhje me ankimin e Olldashit dhe Salianjit, vërej që argumentet janë njësoj. Pa dashur të hyj në dinamikëm e faktit penale, vlerësoj se shkaqet e ngritura në ankim nga dy të pandehurit nuk janë shkaqe që mbështeten në ligjin procedural penal.

Në përfundim të fjalës së tij në sallën e gjyqit, prokurori Qose kërkon që vendimi i Shkallës së Parë të lihet në fuqi.

Prokurori i Apelit, Arben Qose: Në vlerësimin tonë provohet përtej çdo dyshimi të arsyeshëm, që e kanë konsumuar veprën penale pëe të cilën akuzohen. Vendimi i Shkallës së Parë është i drejtë. Në tërësinë e vlerësimit të provave, tabulatet telefonike, komunikimet provohet jo vetëm njohja, por edhe dita kur kanë regjistruar audio-përgjimin. Në përfundim, vlerësoj se vendimi i gjykatës është i drejtë dhe kërkoj të lihet në fuqi.

Deputeti i selisë blu u shpall fajtor nga Shkalla e Parë me 1 vit burg për kallëzim të rremë në lidhje me çështjen “Babale”. Në Apel, çështja është dërguar dhe nga gazetari Jetmir Olldashi, i cili në Shkallën e Parë u dënua me 6 muaj burg të konvertuar në 100 orë shërbim komuniteti.

Vendimet e Shkallës së Parë për dosjen “Babale”:

1 vit burg për Ervin Salianjin, i akuzuar për kallëzim të rremë.

Albert Veliu, i njohur ndryshe si “Babalja” është dënuar me 3 vite e 5 muaj burg për veprat penale “kalim i paligjshëm kufiri” dhe “kallëzim i rremë”.

Fredi Alizoti u dënuar me 2 vite burg, ndërsa gazetari Jetmir Olldashi me 6 muaj burg që iu zëvendësua me 100 orë pune.

Akuzat:

Sipas prokurorëve, të katërt të akuzuarit, për qëllime politike kanë krijuar një provë të rreme përmes një audio-përgjimi se Geron Xhafaj, vëllai i ish-Ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ka kryer vepër penale të trafikimit të lëndëve narkotike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat