Me fillimin e vitit të ri shkollor, kopshti “Ylberi” në Njësinë 1 në Tiranë pret çdo ditë në mjediset e reja rreth 180 fëmijë. Në përurimin e ndërtesës së re, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se ky kopësht vijon traditën e kësaj administrate, e cila njihet për transformimin e shkollave, kopshteve dhe çerdheve.
“Kemi kopshte me ashensorë, me super kuzhina, me ushqime të freskëta, që konsumohen brenda ditës. Këtë standard e kemi traditë në bashki sepse ne nuk ndërtojmë vetëm një ndërtesë, por një komunitet. Pra, nuk është një hapësirë ku sjellim 180 fëmijë gjatë ditës, por një ndërtesë komunitare, ku fëmijët mësojnë aftësitë bazë. Ky shtator ka qenë i jashtëzakonshëm, me hapjen e disa shkollave të reja, por do të vazhdojmë t’i shtojmë kopshtet. E kuptoj padurimin e njerëzve, të cilët kërkojnë të ndërtohen më shumë kopshte. Në 2015 morëm një situatë kur kopshtet ishin të degraduara, kishte më pak se 3 mijë fëmijë. Sot kopshtet tona frekuentohen nga 17 mijë fëmijë. Parimi ka qenë të shtohemi pa lëshuar asgjë te cilësia. Nëse çdo kopësht ka të njëjtën cilësi, kjo na bën të ndihemi krenarë sepse jemi rritur pa ceduar në shërbime”, u shpreh Veliaj.
Kryebashkiaku theksoi se do të vijojë hapja e kopshteve të reja në lagjet jashtë qendrës së kryeqytetit. Ai shtoi se në zonat ku bashkia nuk ka prona të vetat, do të marrë hapësira me qira, duke u siguruar që të kenë të njëjtat kushte si kopshtet e tjera në kryeqytet.
“Ne do të sigurohemi që, edhe në disa hapësira të tjera, sidomos në zona si Fresku, lagjja Rilindja, Liqeni i Thatë, të shkojmë me një sistem qiraje, aty ku nuk kemi mundësi të ndërtojmë pronat e bashkisë. Pra, të ketë një hyrje më vete, të ruhet privatësia, të mos ketë komunikim me banorët e pallateve etj. Dua të falenderoj të gjithë prindërit për besimin. E di që e kanë pritur me padurim hapjen e këtij kopshti. Për të gjithë pellgun e Shkozës, dhe gjithë kjo lagje mes Tiranës së zhvilluar dhe një Tirane në zhvillim e sipër, vetëm ideja që fëmijët mësojnë në një mjedis të sigurt, që hanë shëndetshëm dhe rriten me dashuri, është një shpëtim i madh”, theksoi ai.
Veliaj u ndal edhe te vëmendja për fëmijët me autizëm dhe sindromën doën. Ai tha se përveç mësuesve specialë në kopshte, po punohet për ndërtimin e një qendre, e cila do të ndihmojë fëmijët me aftësi të veçanta. “Ne duam që qendra jonë e re, pranë Ambasadës Amerikane, të kthehet në një qendër të jashtëzakonshme ekselence për të trajtuar jo vetëm fëmijët, por edhe prindërit. Edhe ata kanë nevojë për terapi, edhe ata kanë nevojë për socializim, edhe ata kanë nevojë për një dorë mbështetëse. Ne do shkojmë nga ky trajtim i pikëzuar, edhe me një qendër ekselence për të trajtuar sindroma të tilla dhe për t’i dhënë këtyre ëngjejve një mundësi që të fluturojnë, si gjithë ëngjejt e tjerë”, deklaroi ai.