“Do kandidoj në Tiranë”- Meta flet për zgejdhjet dhe hetimet e SPAK

Shqipëria

“Do kandidoj në Tiranë”- Meta flet për zgejdhjet dhe hetimet e SPAK

Më: 20 shtator 2024 Në ora: 15:41
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, zhvilloi këtë të premte një konferencë me gazetarët ku zbuloi se në zgjedhjet e ardhshme do të garojë për deputet Qarkun e Tiranës, ku sipas tij PL do të ketë një rezultat fantastik.

Meta në fjalën e tij nuk dha një përgjigje të prerë nëse do të ketë një koalicion parazgjedhor me Partinë Demokratike, por nënvizoi se “janë në solidaritet të plotë me betejën që PD po bën kundër narkoshtetit”.

Meta u ndal dhe te hetimet që po kryen ndaj tij nga SPAK, ku theksoi se asnjë gjë e jashtëligjshme nuk është gjetur apo do të gjendet.

Kreu i PL shtoi se janë dijeni se SPAK ka gjetur gjëra ndaj bashkëpunëtorëve të tij dhe po mundohet për t’i përdorur ata si “pendito”.

Pjesë nga intervista:

Pyetje: Në një intervistë ditën e djeshme, Lideri i Partisë Demokratike, Z. Sali Berisha, ka konfirmuar se opozita do të garojë në koalicion zgjedhjet e ardhshme.

Cila është përgjigja juaj?

Përgjigje: Nuk e kam ndjekur intervistën e zotit Berisha, jemi në solidaritet të plotë me betejën e tij të jashtëzakonshme kundër narkoshtetit edhe me të gjitha sakrificat që ai po bën, të cilat tregojnë qartë tmerrin e regjimit nga opozita e vërtetë edhe nga prezenca e saj në parlament.

Pyetje: Çfarë përgatitjesh organizative po bën Partia e Lirisë për Bashkinë dhe Qarkun e Tiranës në funksion të zgjedhjeve të ardhshme?

Përgjigje: Partia e Lirisë ka nisur përgatitjet në të gjithë vendin dhe pa asnjë diskutim ka nisur përgatitjet edhe ne Qarkun e Tiranës, ku do të kandidoj edhe unë si Presidenti i Partisë së Lirisë dhe ku do të kemi një rezultat fantastik.

Pyetje: Gazetarja Klodjana Lala, referuar burimeve të treta nga SPAK, ka deklaruar se jeni në hetim edhe për transaksione të dyshimta financiare dhe pasuri të paluajtshme të fshehura jashtë vendit.

Cili është komenti juaj?

Përgjigje: Nuk e di se sa e saktë është kjo deklaratë e bërë nga një burim i tretë, por kjo gazetare në të kaluarën i është referuar dhe burimit të parë që është Dum-Dumani personalisht prej kohësh dhe mund t’ju deklaroj sot juve dhe të gjithë shqipëtarëve se pavarsisht se Dum-Dumani ka 5 vjet që heton për Ilir Metën mbi bazë të kallëzimit të një personi të çmendur, i cili është dënuar me vendim gjykate për dhunë në familje që në dhjetor të vitit kur ka qenë kulmi o debatit për Gjykatën Kushtetuese, as ka gjetur, as ka për të gjetur, në këtë botë dhe në çdo lloj bote, asnjë lloj akti të Ilir Metës në kundërshtim me ligjin.

Asnjë veprim të paligjshëm, asnjë llogari gjëkundi, asnjë pronë të padeklaruar, asnjë pronë të fshehur dhe asgjë tjetër.

Po, jemi në dijeni të plotë që falë përpjekjeve për të gjetur diçka rreth Ilir Metës, kanë gjetur diçka rreth njerëzve që dikur Ilir Meta i ka patur pranë edhe përpiqen t’i përdorin si pendito të deklaruar apo të padeklaruar, duke bërë dhe inskenime të bisedave gjoja ambientale, të cilat janë një estradë e vërtetë.

Ilir Meta është këtu, do të jetë gjithmonë këtu dhe Dum-Dumani ka vetëm një qëllim, të përdori njerëzit e korruptuar të opozitës, njerëzit e kapur të opozitës për të goditur udhëheqësit e vërtetë të opozitës dhe për të instaluar një fake opozitë, e cila garanton pandëshkueshmërinë e Edi Ramës dhe së dyti që krimet, siç është ai i inceneratorit dhe shumë krime të tjera që janë grabitje pa maska në mes të diellit, të quhen “krime intelektuale”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat