Koçiu në shkollën Kristo Isak në Berat: Arsimi profesional dhe mundësi për punësim në qendra socio-shëndetësore

Shqipëria

Koçiu në shkollën Kristo Isak në Berat: Arsimi profesional dhe mundësi për punësim në qendra socio-shëndetësore

Më: 20 shtator 2024 Në ora: 18:45
Foto nga vendi i ngjarjes

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Abana Koçiu e shoqëruar edhe nga kryetari i Bashkisë së Beratit, Ervin Demo ka zhvilluar sot një vizitë në shkollën e mesme profesionale “Kristo Isak” në Berat ku për këtë vit arsimor janë rreth 224 nxënës të cilët kanë zgjedhur të ndjekin degët që ofron.

Shkolla e mesme profesionale “Kristo Isak” përgatit profesionistë të rinj edhe në profilin socio-shëndetësor që prej vitit 2017 me ambientet të përshtatshme dhe kabinetin përkatës të pajisur me materialet e nevojshme. Ndërsa nxënësit kanë mundësi të zhvillojnë praktika në spitale, qendra sociale dhe qendra shëndetësore, duke fituar aftësi të vlefshme për tregun e punës.

Ministrja Koçiu theksoi se “një aspekt i rëndësishëm i këtij drejtimi është përgatitja e nxënësve për të punuar me personat me aftësi të kufizuara (PAK), duke ofruar ndihmë në 30 qendra të specializuara në të gjithë vendin, të pajisura me staf të kualifikuar. Përvoja e nxënësve në këto qendra është kyçe për zhvillimin e tyre profesional dhe për t’i pajisur me njohuritë e nevojshme për të kontribuar në mirëqenien e komunitetit”.

Shkolla “Kristo Isak” është një shembull se si arsimi profesional dhe përkujdesi social mund të bashkëpunojnë për të krijuar një ndikim të qëndrueshëm, duke përgatitur profesionistë të rinjtë për të bërë një ndryshim të vërtetë në jetën e njerëzve në nevojë dhe në shoqëri në përgjithësi”, theksoi më tej Koçiu.

Gjatë vizitës në ambientet e shkollës, ministrja zhvilloi një bashkëbisedim me nxënësit dhe stafin e mësuesve lidhur me mundësitë e shumta që ofron tregu i punës.

Ministrja u shpreh se “ajo që do ju japi mundësi me të mbaruar studimet është që do të gjeni një vend punë në një qendër sociale, qendër shëndetësore. Shkollat profesionale është zgjedhja perfekte”.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu nënvizoi se “Qendrat e zhvillimit ofrojnë shërbime për persona me diagnoza të ndryshme që kërkojnë figura profesionale si fizioterapist, loogopedist apo edukatore të specializuara, punonjës social dhe psikologë. Këta profesionistë luajnë rol të rëndësishëm në promovimin e shëndetit dhe të mirëqënies”.

Shkolla e mesme profesionale “Kristo Isak” përgatit nxënësit në drejtimet hoteleri-turizëm me profile kuzhinë-pastiçeri, shërbime në hotel dhe restorant, në drejtimin e shërbimeve sociale dhe shëndetësore, me profile shërbime kujdesi për fëmijë si dhe në drejtimin ekonomi-biznes. Një nga arritjet kryesore të kësaj shkolle është që mbi 67% e nxënësve punësohen jo vetëm pas përfundimit të shkollimit, por edhe gjatë viteve të shkollimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat