U tërhoq nga detyra, KPK ndërpret vetingun e ndihmëses ligjore Monika Çuhadari

Shqipëria

U tërhoq nga detyra, KPK ndërpret vetingun e ndihmëses ligjore Monika Çuhadari

Më: 20 shtator 2024 Në ora: 19:09
U tërhoq nga detyra, KPK ndërpret vetingun e ndihmëses ligjore Monika Çuhadari

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi më 10 shtator të ndërpresë vetingun për këshilltaren ligjore pranë Gjykatës së Lartë, Monika Çuhadari për shkak të dorëheqjes së saj nga detyra, si dhe i ndaloi rikthimin në sistemin e drejtësisë për 15 vjet.

Në vendimin e arsyetuar të KPK sqarohet se në momentin e hyrjes në fuqi të legjislacionit për vetingun e magjistratëve, Çuhadari ka mbajtur funksionin e këshilltares ligjore në njësinë e shërbimit ligjor pranë Gjykatës së Lartë dhe për këtë arsye ka gëzuar statusin e subjektit të rivlerësimit të procesit kalimtar ex officio.

Hetimi administrativ ndaj këtij subjekti rivlerësimi ka filluar në qershor të vitit 2021, kur me short për kryerjen e vetingut të saj është caktuar trupa e përbërë nga komisionerët Lulzim Hamitaj, Firdes Shuli dhe Etleda Çiftja. Një muaj më vonë Çuhadari ka deklaruar marrjen dijeni të fillimit të procedurës së vetingut ndaj saj, si dhe mosqënien në kushtet e konfliktit të interesit me anëtarët e trupës së KPK. Po ashtu, ajo ka depozituar përgjigjet e pyetësorit strandard bashkë me provat shkresore.

Në korrik të vitit 2024, subjekti ka paraqitur kërkesën për ndërprerjen e marrëdhënies së punës përpara Këshillit të Lartë Gjyqësor, KLGJ dhe ka deklaruar për Komisionin se është në proces të grumbullimit të dokumentacionit të nevojshëm ligjor për efekt të pensionit të pleqërisë. Më datë 11 korrik, KLGJ ka vendosur përfundimin e marrëdhënies së në shërbimin civil për Çuhadarin, për shkak të dorëheqjes. Një kopje e vendimit i është dërguar dhe KPK-së.

Subjekti nuk ka ushtruar ankim ndaj vendimarrjes së KLGJ dhe ka rikonfirmuar për KPK se është në ditët e fundit për të plotësuar moshën për të dalë në pension pleqërie, si dhe se nuk ka arsye për të marrë pjesë në seancë dëgjimore.

Bazuar në këto rrethana, KPK ka vlerësuar se procesi i vetingut për këtë subjekt duhet ndëprerë sipas nenit G të Aneksit të Kushtetutës, që përcakton dhe ndalimin për riemërimin në funksione në sistemin e drejtësisë, konkretisht si gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat