Programi i PD-së/ Berisha: Plan masash për këdo që rikthehet në vend! Kush hap biznes, 5 vite pa taksa!

Shqipëria

Programi i PD-së/ Berisha: Plan masash për këdo që rikthehet në vend! Kush hap biznes, 5 vite pa taksa!

Më: 20 shtator 2024 Në ora: 20:52
Sali Berisha

Nga Ballkoni i shtëpisë së tij, Sali Berisha, kryetari i PD-së tha sonte se kthimi i emigrantëve në Shqipëri do shoqërohet me një periudhë 5-vjeçare pa taksa në qoftë se do hapni biznese.

Ai shtoi se do ta bëjë gjithçka që Shqipërinë ta ngjisë në rrugën e Evropës dhe do ta bëjë sërish vendin e parë për rroga dhe pensione në Ballkan.

Berisha: Ndaj miqtë e mi, kjo betejë nuk është pra vetëm për veten tonë, vetëm për familjet tona, për fëmijët tanë, por kjo betejë është për qindra e mijëra të rinj dhe të reja, qytetarë shqiptarë që u larguan, u dëbuan, u zbuan dhe boshatisën këtë vend gjatë këtyre tetë viteve nga një platformë që përbën gjenocid të vërtetë ndaj shqiptarëve.

Unë garantoj shqiptarët në emigracion dhe diasporë se programi i PD-së bashkon një seri masash, të cilat të bëjnë të mundur rikthimin tuaj të butë, të suksesshëm në dheun tuaj të dashur kudo që jeni. Unë ju jap fjalën ju se kthimi juaj në Shqipëri do shoqërohet me një periudhë 5-vjeçare pa taksa në qoftë se do hapni biznese.

Do shoqërohet me vendosjen tuaj në vendet që meritoni, në vendet ku mund të kontribuoni më shumë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Do bëjmë gjithçka që Shqipërinë ta ngjisim, do ta bëjmë sërish vendin e parë për rroga dhe pensione në Ballkan. Së bashku me ju, do rikthejmë përsëri Shqipërinë në rrugën e Evropës.  Do krijohen të gjitha kushtet, me kredi dhe mjete të tjera për strehimin, për punësimin, për biznesin, për aktivitetin në fushën ku ju jeni më afër, më të specializuar.

Gjatë vitit 2008-2013, 180 mijë familje emigrantësh erdhën në Shqipëri. Por prapë Shqipëria nuk kishte rrogat e atyre vendeve prej nga erdhën ata, por Shqipëria ktheu besimin se ky vend do bëhet nga shqiptarët. Shqipëria nuk do jetë çiflig i mafies së Edi Ramës. Shqipëria nuk do jetë çiflig i hajdutëve të tij. Jo, Shqipëria do jetë vend i garës së ndershme, konkurrimit të ndershëm, barrës së ulët fiskale. Shqipëria do jetë vend i ligjit. Ligji dhe vetëm ligji, kodi i mafies nuk do ketë më kurrë vend në Shqipëri. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat