Pushimet në shtator! Të huajt vijnë më shumë, por qëndrojnë më pak

Shqipëria

Pushimet në shtator! Të huajt vijnë më shumë, por qëndrojnë më pak

Më: 21 shtator 2024 Në ora: 12:19
Foto ilustrim

Megjithëse temperaturat ranë përgjatë javës së fundit dhe stuhitë e para të shiut prekën edhe bregdetin pushuesit nga vendet e Veriut të Europës vijojnë ta zgjedhin Shqipërinë për klimën, detin, ushqimin jetën lokale dhe mikpritjen.

Plazhet e veçuara si ai i Bunecit apo plazhi i Shpellës në Lukovë vijojnë të presin pushuesit e fundit të këtij sezoni. Aase vjen nga Norvegjia dhe ka shëtitur disa zona të izoluara të vendit para se të vinte në plazh.

“Shqipëria është e mrekullueshme. Ju keni një vend kaq mbresëlënës me malet dhe detin dhe ushqim të shkëlqyer. Unë jam nga Norvegjia dhe do t’jua rekomandoj Shqipërinë gjithë miqve dhe familjes sime.”

Lucy, një tjetër pushuese nga Anglia tregon se e viziton Shqipërinë për herë të parë dhe se do të rikthehet.

“Është hera ime e parë në Shqipëri dhe ka qenë një përvojë e shkëlqyer që të them të drejtën nuk e prisja fare. Kaq shumë miq më pyetën: Vërtetë po shkon në Shqipëri? Është marrëzi të mos vish këtu sepse një moment je në mal dhe shumë shpejt gjendesh në një plazh kaq të bukur. Çdo njeri ka qenë kaq miqësor këtu por nëse transporti do të përmirësohej pak më shumë njerëz do ta vizitonin këtë vend.”

Spartaku prej 10 vitesh menaxhon një market të vogël në plazh. Ai tregon se vizitorët shpenzuan më pak kohë në plazh këtë vit.

“Në plazhin e Shpellës punoj 10 vite. Para koronës situata ka qenë me disa vite të mbara. Prisnim që do vazhdonte rritja e turizmit pas koronës por çmimet e dhomave i larguan klientët. Çmimet u rritën artificialisht nga 40 vajtën 80, 100, 120 e me radhë. Kjo nuk më ndikoi vetëm mua por të gjithë bizneset në plazh.”

Plazhi i Shpellës në Lukovë një prej plazheve më të bukur të vijës bregdetare Sarandë-Vlorë edhe këtë vit pati probleme me pastrimin e mbetjeve. Situatës ju shtua edhe rrethimi me gardhe teli i një territori të gjerë shumë pranë rërës që tkurri dhe parcelizoi qarkullimin e pushuesve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat