Samiti në OKB, Rama në New York/ Kriza e 3-fishtë planetare, zbardhen 5 prioritetet e BE

Shqipëria

Samiti në OKB, Rama në New York/ Kriza e 3-fishtë planetare, zbardhen 5 prioritetet e BE

Më: 22 shtator 2024 Në ora: 07:28
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama do të jetë të dielën pjesë e takimit që mbahet çdo vit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në New York.

Pjesë e takimit do të jenë udhëheqës nga e gjithë bota, ndërkohë që në takim do të trajtohen konfliktet e armatosura, në Gaza, Sudan dhe Ukrainë.

Kryeministri shqiptar ka planifikuar krahas takimeve me homologë edhe pjesëmarrjen në takimin me liderët e rajonit i organizuar nga shefi i diplomacisë evropiane në largim Joseph Borrell. Një takim të veçantë Rama do të ketë edhe me presidenten e rizgjedhur të PE-së Roberta Metsola.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe Presidenti palestinez Mahmoud Abbas pritet gjithashtu të marrin pjesë në takim.

Zelensky pritet të theksojë nevojën për më shumë mbështetje ushtarake për Ukrainën dhe armë me rreze të gjatë veprimi. Presidenti

Vladimir Putin nuk do të marrë pjesë në takim, megjithatë Rusia do të përfaqësohet nga ministri Sergey Lavrov.

Sipas njoftimit të Komisionit Europian, sesioni i OKB-së në Nju Jork do të ndiqet nga një delegacion i nivelit të lartë të Bashkimit Evropian duke përfshirë Josef Borrell dhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

“Fokusi i BE-së do të jetë trajtimi i konflikteve dhe krizave në të gjithë botën. Në një sfond të zymtë të krizave të shkaktuara nga njeriu dhe ato natyrore, BE-ja dhe shtetet anëtare do të fokusohen në pesë prioritete kryesore: ri-angazhimi për themelet e një rendi ndërkombëtar të bazuar në rregulla; mbështetjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare; avancimi i zhvillimit të qëndrueshëm dhe financimi për zhvillim; adresimi i krizës së trefishtë planetare; dhe nxitja e besimit nëpërmjet një sistemi shumëpalësh më efektiv”, theksohet në njoftimin e Komisionit Evropian.

Sekretari i pergjithshem i OKB-së, Antonio Guterres ka deklaruar se Bashkimi Europian dhe Shtetet Anëtare të saj po vijnë në sesionin e 79-të të OKB-së të vendosur për të promovuar zgjidhje shumëpalëshe të bazuara në Kartën e OKB-së dhe për t’i bërë ato të funksionojnë për të mirën e të gjithëve.

“Ne nuk mund t’i zgjidhim problemet e shekullit të 21-të me mjetet e shekullit të 20-të”- është shprehur sekretari Guterres.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat