“Zgjerohen” shkollat profesionale në Elbasan, këtë vit më shumë regjistrime

Shqipëria

“Zgjerohen” shkollat profesionale në Elbasan, këtë vit më shumë regjistrime

Më: 22 shtator 2024 Në ora: 12:47
Foto ilustrim

Gjithnjë e më shumë tregu po varfërohet nga specialistët, por gjithnjë e më shumë po rritet interesi i të rinjve drejt arsimit profesional.

Dy shkolla profesionale në Elbasan çdo vit nxjerrin qindra profesionistë në drejtime të ndryshme, ndërsa bashkëpunimi me bizneset ndikon në punësimin e menjëhershëm të tyre.

Leonidha Haxhinikolla, drejtori i shkollës profesionale thotë: “Këtë vit ka një rritje të konsiderueshme të numrit të nxënësve sidomos në disa degë, siç është shërbim mjete transporti, teknologjia e informacionit dhe hoteleri turizëm që janë degët që kërkohen më shumë. Kemi bashkëpunim shumë të mirë me bizneset. Kemi 270 biznese partnere ku nxënësit kryejnë praktikat profesionale”.

Teksa aktualisht klasa e dhjetë në shkollën profesionale të Elbasanit ka regjistruar 410 nxënës, regjistrimet vijojnë të jenë të hapura deri në fund të shtatorit.

Haxhinikolla shton: “Kemi një rritje të numri të vajzave në arsim profesional në degë si TIK, Hoteleri Turizëm, Tekstil Konfeksione etj. Kam kënaqësi të them që prej tre vitesh kemi krijuar klasat e ekselencës me nxënës 9-10”.

Nxënësit e shohin arsimin profesional si një mundësi më të shpejtë punësimi, e ka nga ata që studiojnë për të mundur të zhvillojnë më tej bizneset familjare.

70% e programit të përgjithshëm të arsimit të mesëm zhvillohet edhe në shkollat profesionale, por përtej kësaj zotërohet edhe një profesion i cili të shoqëron gjithë jetën. Aktualisht shkolla profesionale e Elbasanit ofron drejtimet Shërbime Mjetesh transporti, TIK, Hoteleri Turizëm, Mekanik I Përgjithshëm, Ekonomi Biznes, Termo Hidraulik, Elektronikë, Tekstil Konfeksione, ndërtim etj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat