Tabaku: Pensionistët nuk përballojnë as produktet minimale të shportës! Të ardhurat në rënie, qeveria braktis shumicën!

Shqipëria

Tabaku: Pensionistët nuk përballojnë as produktet minimale të shportës! Të ardhurat në rënie, qeveria braktis shumicën!

Më: 22 shtator 2024 Në ora: 19:04
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka ngritur zërin për situatën e pensionistëve shqiptarë në një postim të fundit në rrjetet e saj sociale. Duke i dhënë zë shqetësimeve të qindra mijëra familjeve, Tabaku denoncon rënien drastike të fuqisë blerëse, duke vënë theksin te mungesa e mbështetjes nga qeveria, e cila, sipas saj, vazhdon të braktisë shumicën e qytetarëve.

“ Çfarë mund të blejë sot një pensionist me rritjen prej vetëm 800 lekësh të propaganduar nga qeveria? Një pako oriz, një pako makarona dhe një shishe qumësht, të tria produkte shqiptare me çmime nga më të ulëtat në treg, ” shprehet Tabaku me tone të ashpra, duke sjellë në vëmendje pamundësinë e plotësimit të nevojave bazë nga qindra mijëra pensionistë që përballen me rritjen e pandalshme të çmimeve.

Deputetja thekson se familjet me dy pensionistë nuk mund të përballojnë më as koston minimale të jetesës, e lëre më të përballojnë shpenzimet shëndetësore që çdo ditë bëhen më të larta. “ Sot, çmimet janë rritur me 30%, ndërkohë që pensionistët marrin një rritje qesharake prej 800 lekësh në muaj! A jeton dot një familje kështu? ”, pyet Tabaku me ironi.

Në një analizë, Tabaku sjell në vëmendje një krizë të paprecedentë në historinë e tranzicionit 30-vjeçar të Shqipërisë. Ajo denoncon rënien reale të pagave dhe pensioneve për herë të parë në më shumë se tre dekada, duke e lidhur këtë me politikat e dështuar të qeverisë, të cilat, sipas saj, kanë sjellë një krizë të thellë të familjeve dhe buxheteve familjare.

“ Nuk ka më mbrojtje për konsumatorët, tregjet janë të dominuara nga monopole që nuk kontrollohen. Kriza ka mbërthyer çdo familje shqiptare, ndërkohë që qeveria vazhdon t’i shërbejë pakicës, ” përfundon deputetja demokrate.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat