74-vjeçarja e cila denoncoi pak ditë më parë djalin dhe nusen e tij se e kanë dhunuar, ka dhënë detaje të tjera nga rreth ngjarjes së rëndë të ndodhur në familjen e saj.
E moshuara ka treguar se djali i saj ka qenë në burg në Greqi për 21 vite, ndërsa tregon se ai dhe nusja e kanë dhunuar me shkopin e fshesës.
Siç ka rrëfyer ajo, nusja ka mësuar dhe të birin të sillej keq me gjyshen e tij, duke i dhënë atij gurë në dorë për ta goditur.
“Më ka gjuajtur me shkopin e fshesës. Pas asaj, erdhi djali. Nusja mësoi shumë keq çunin e vet, i dha dy gurë në dorë dhe i tha t’i bjerë gjyshit të vet. I dola djalit përpara”, ka treguar ajo, ndërsa shton sei biri dhe nusja e kanë akuzuar se ka rrahur nipin, por sipas saj, diçka e tillë nuk ka ndodhur.
“Unë jam Vjollca Murri dhe jam 74 vjeçe. Nusja më ka ardhur me bishtin e fshesës, me qëllim për të më rrahur. Më ka gjuajtur me shkopin e fshesës. Pas asaj, erdhi djali. Nusja mësoi shumë keq çunin e vet, i dha dy gurë në dorë dhe i tha t’i bjerë gjyshit të vet. I dola djalit përpara. Nusja më ka rrahur përpara një jave. U bëra zi, më këputi dhe varësen, prapë më ka rrahur. Më ra me shkopin e fshesës, duke më thënë se “djalin tim nuk e rreh dot”. Erdhi djali im, djali më mbante dhe nusja më gjuante. Më gjuanin me shkop. Më ka rrahur sërish. Vetëm pse i thashë djalit ku shkon me gur. Djali nisi të qajë e tha që më rrahu nëna. Nuk e kam rrahur nipin”, ka rrëfyer e moshuara për “News24”.
Më tej, 74-vjeçarja ka treguar se i biri ka dhunuar dhe bashkëshortin e saj. Sipas të moshuarës, ajo është dhunuar tre herë nga nusja e djalit, por nuk e kishin denoncuar.
“Isha pre e dhunës, mora një taksi dhe ika. Djali ka rrahur edhe babanë e vet. Burri im është 75 vjeç. Djali ka bërë 21 vite burg në Greqi, 5 lekë nuk m’i ka sjellë në shtëpi. Shtëpinë e kam bërë unë dhe plaku e me djalë të vogël, nuk e kanë bërë ato. Madje, e kemi ndihmuar kur ka dalë në gjyqe në Greqi.
Hera e parë që shkojmë në polici. Nusja e djalit është e treta herë që më rreh. Policia të më ndihmojë, kërkoj ndihmë. Më kanë nxirë. Nëse ka shtet, të ma heqë djalin nga këtu. Nuk e di ku i ka çuar lekët, se mua më ka sjellë vetëm probleme”, tha ajo.