Juristi i të drejtave ndërkombëtare Alban Avdulla, i ftuar në një studio televizive, foli rreth lajmit se një shtet sovran Bektashi i ngjashëm me Vatikanin do të krijohet në Tiranë.
Avdulla tha se është ende e paqartë se cili ka qenë problemi i cili duhet të zgjidhet me krijimin e një shteti sovran Bektashi brenda Shqipërisë. Ai shtroi pyetjen nëse kjo gjë do i shërbente vërtetë tolerancës fetare, pasi kjo e fundit deri më tani mbrohet nga kushtetuta, ndërsa lejimi i krijimit të një shteti sovran do bënte që shteti Shqiptar të mos ishte më i baraslarguar nga besimet fetare.
“Ne nuk jemi të qartë se kush është shkaku për këtë iniciativë? A duam ti japim më tepër autonomi? Por edhe këtë e ka zgjidhur Kushtetuta se ajo e përcakton pavarësinë dhe autonominë për vetë-administrim. Nëse synimi i kësaj ka qenë zgjerimi i autonomisë, edhe këtë kushtetuta e lejon, por jo krijimi i një shteti brenda shteti. Ne nuk kemi një shkak natyral për të ardhur te kjo zgjidhje.
Kryeministri Rama tha se kjo do të rrisë tolerancën fetare, por si u cenua toleranca, se atë e garanton Kushtetuta. Nëse i jep mundësi që një bashkësi fetare të krijojë shtetin e tyre, kjo mirë që krijon një precedent problematik, por cenon nenin 10 të kushtetutës. Ti nuk je më i baraslarguar nga besimet”,-tha Avdulla.