Një sasi tritoli shpërtheu në orët e mbrëmjes në banesën e shtetasit Filip Dodaj në njësinë Bushat të bashkisë Vau Dejës.
Një person ende i paidentifikuar hodhi lëndën plasëse në oborrin e shtëpisë dhe më pas u largua në drejtim të paditur duke mos lënë gjurmë.
Ngjarja ndodhi rreth orës 20:10 të 22 shtatorit. Pronari i banesës ku shpërtheu tritoli Filip Dodaj, 62 vjeç thotë se nuk ka konflikte me persona të tjerë dhe nuk e di se kush mund të jetë autori i lëndës plasëse.
“Nuk isha në shtëpi. Është enigmë. Nga kamerat shihet një i maskuar, ka ardhur nga veriu ka hedhur lëndën dhe ka ikur në atë drejtim. Nuk kam pasur asnjë problem me asnjë njeri, kjo është çudia. Nuk kam dyshime. Unë jam punëtor, punoj për një firmë. Në shtëpi jetojmë me babai dhe gruan, fëmijët janë jashtë. Nuk ka lidhje me biznesin”, tha 62-vjeçari Filip Dodaj.
Një komshi ngjitur me banesën ku shpërtheu tritoli, shtetasi Tonin Dodaj tregon se zhurma ishte e fortë dhe se fillimisht mendoi se bëhej fjalë për bombol gazi.
“Kam qenë brenda, 8:10 ka qenë ora. Ishte zhurmë e fortë. Menduam se ishte dinamit. Doli e gjithë lagja jashtë. Thamë mos ishte ndonjë bombol gazi, ndonjë cisternë. Filipi nuk ishte në shtëpi. Ndjemë erën pastaj. Filipi nuk ka probleme me asnjë, edhe policia e pyeti. “Nuk kam gjë” i tha. Kamerat janë të banesës së Filipit, se ka frigoriferin e peshkut”, tregoi ai.
Pas shpërthimit në Bushat menjëherë në vendngjarje mbërritën forcat e policisë vendore të Shkodrës duke nisur hetimet paraprake.
62 vjeçari Filip Dodaj ka një magazinë peshku ndërsa po ashtu jeton e punon mes Shqipërisë dhe Italisë duke u marrë edhe atje me tregti sëbashku me dy djemtë që ndodhen në shtetin italian.
Një pistë mbetet pronësia për shkak të një konflikti të hershëm por policia nuk përjashton edhe pista të tjera hetimi. Efektivët po punojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes ndërsa kanë sekuestruar kamerat e sigurisë në banesën ku shpërtheu tritoli por autori që erdhi dhe u largua në këmbë është i maskuar dhe mbetet e vështirë identifikimi i tij për shkak edhe të errësirës në rrugë në momentin kur ndodhi ngjarja.