“Asnjë fakt penal”, Argita Malltezi: Dosja ndaj Sali Berishës hedh në erë themelet e shtetit, ja 10 falsifikimet

Shqipëria

“Asnjë fakt penal”, Argita Malltezi: Dosja ndaj Sali Berishës hedh në erë themelet e shtetit, ja 10 falsifikimet

Më: 23 shtator 2024 Në ora: 10:07
Foto ilustrim

Për Argita Malltezin, ish kryeministri Sali Berisha është një i pandehur pa asnjë provë kundër tij. Akuzat për “Partizanin” ajo i quan një çështje politike pasi sipas saj nuk ekziston asnjë vepër apo fakt penal që rëndon mbi Berishën.

Zj.Malltezi thotë për gazeta “Panorama” se urdhri për Berishën është bërë nga kryeministri Edi Ramës në vit elektoral me qëllim që të pengojë rotacionin me votë. Në gjykimin e saj, dosja kundër Berishës hedh në erë themelet e shtetit të së drejtës. “Vetëm fakti që kanë bërë një akuzë 500 faqe është mjaft për të kuptuar që ata duan të fshehin mungesën e provave. Aplikimet në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut nuk pranohen nëse janë më shumë se 20 faqe”, – shprehet vajza e ish-kryeministrit.

Zj.Malltezi, cili është perceptimi i parë lidhur me ndjekjen penale ndaj Sali Berishës dhe Jamarbër Malltezit?

Pengmarrje e drejtësisë dhe vendit nëpërmjet magjistratëve të kapur politikisht nga Edi Rama, diplomatëve të korruptuar dhe Soros. Kujtojmë sesi Gabriel Escobar dhe Yuri Kim i bënë publikisht dhe në mënyrë të përsëritur presion SPAK disa herë që të hetonin Sali Berishën. Apo se si Edi Rama urdhëroi SPAK qoftë në Kongresin e PS me 09.04.2022 dhe qoftë në Asamblenë e PS me 07.05.2022 që të ndiqnin penalisht Sali Berishën pasi po rrënohej reforma në drejtësi. Prokurorët politikë të SPAK jo vetëm që kanë nisur hetimin 30-vjeçar pas këtyre urdhrave, por edhe refuzojnë që këto video mbi këto deklarata publike t’i bëjnë pjesë të dosjes. Kjo është një dosje e stisur, e nisur mbi bazë të kallëzimit të rremë të Taulant Ballës, e hetuar për 4 vjet, pa asnjë fakt penal, pa shpjeguar asnjë mekanizëm për veprën e pretenduar. Sot akuza është dekoratë për Sali Berishën pasi hetimi në 3 breza dhe për 30 vjet të jetës së tij politike tregoi se Sali Berisha nuk ka shkelur kurrë asnjë ligj dhe kurrë nuk ka përfituar në kurriz të detyrave që ka pasur.

Pse e konsideroni si një dosje të stisur ndaj z.Berisha?

Dosja kundër Sali Berishes hedh në erë themelet e shtetit të së drejtës. Pa pasur asnjë fakt penal, pa pasur asnjë dëm – përkundrazi shteti dhe komuniteti fitoi shumëfish nga zbatimi i ligjit – prokurorët nisën një çështje penale me urdhër politik dhe diplomatik. Vetëm fakti që kanë bërë një akuzë 500 faqe është mjaft për të kuptuar që ata duan të fshehin mungesën ulëritëse të provave. Aplikimet në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut nuk pranohen nëse janë më shumë se 20 faqe. ”Afërmendsh gjykatat vendosin gjithmonë siç kërkojmë ne”, ishte e vetmja e vërtetë e shqiptuar nga Altin Dumani. Këtë kemi pasur rastin ta vërtetojmë rregullisht në këtë proces, kur gjykatat janë bërë vegla për t’i shërbyer keqpërdorimit të pushtetit. Ironia është se qysh në faqen 4 të aktakuzës prokurorët kanë shkruar “nga leximi në tërësi i provave të administruara gjatë gjykimit” – imagjinoni ende nuk kanë mbyllur hetimet, por në akt-akuzë shkruajnë që ka përfunduar gjykimi! Janë tregues të degradimit të sistemit ku gjyqtarët janë të kontrolluar nga prokurorët, ndërsa këta të urdhëruar nga Edi Rama. Këta prokurorë i lejojnë vetes të fshehin dhe të falsifikojnë dokumente.

Ku bazoheni kur thoni që fshehin dhe falsifikojnë dokumente?

Shihni p.sh. ato që shkruajnë lidhur me ndryshimin e destinacionit në 2006 dhe 2008, pretendojnë se Berisha e ka ndryshuar destinacionin si kryetar i KRRT që, në fakt, ishte Edi Rama. Krejt papritur, pa asnjë kërkesë nga pala pronare, dhe pa kërkesë nga firma ndërtuese, dhe pa asnjë kërkesë nga ndonjë institucion, Edi Rama vendosi nëpërmjet vendimit të këshillit teknik të BT, datë 12.5.2006 të ndryshojë destinacionin e një pjese të ish- kompleksit “Partizani”, nga zonë sportive në zonë banimi. Fakti që kjo u bë pa ndërhyrjen e palëve të sipërpërmendura vërtetohet me faktin se, siç pranohet edhe nga SPAK, vetëm në datë 22.5.2006 (pra 10 ditë me pas), familjet pronare që nuk e dinin çfarë kishte ndodhur, lidhin kontratë sipërmarrje me një firmë ndërtuese (Kontakt) ku i japin kësaj të drejtën të kërkoje ndryshimin e destinacionit të zonës dhe lejet e ndërtimit. Pra, qartazi në këtë datë, ky fakt ishte ende i panjohur për familjet pronare. Dy javë më pas Edi Rama e fut projektin për ndryshimin e destinacionit për miratim në KRRT e BT ku ai dhe miratohet me vendimin 132 të KRRT, date 08.06.2006, i cili mban firmën e Edi Ramës. Çfarë halli i shtyn prokurorët e kapur të SPAK të fshehin dokumente që të gënjejnë? Pse nuk e thirrën kurrë Edi Ramën për ta pyetur pse e ndryshoi destinacionin e zonës pa kërkesë të pronarëve? Edi Rama ka kryer 11 ndryshime destinacionesh nga zona sportive në banimi veç në vitin 2006 dhe KRRTRSH e kryesuar nga Sali Berisha ia ka miratuar të gjitha ndryshimet e destinacioneve që ka sjellë! Kjo sepse pas prishjes së mbikalimit tek Zogu i Zi në 2005, Edi Rama solli me 16.01.2006 Giovanni di Stassi (ish-president i komitetit të autoriteteve vendore dhe rajonale të Këshillit të Evropës) që deklaroi se qeveria shqiptare në rastin e Zogut të Zi kishte shkelur Kartën Europiane të Autonomisë Vendore të Këshillit të Evropës (e detyrueshme për Shqipërinë) sipas të cilës planifikimi dhe kontrolli i territorit janë tagër i pushtetit vendor! Këtë përkufizim shprehu edhe vendimi nr. 29 i Gjykatës Kushtetuese në dhjetor 2006. Kush paska pasur, pra, interes në ndryshimin e destinacionit, Edi Rama që e kaloi ndryshimin për tre javë apo Sali Berisha që priti 6 muaj dhe i ka miratuar ex lege të gjitha 11 ndryshimet e destinacionit që vendosi Edi Rama në 2006? Në akuzën 500 faqesh, SPAK shkruan se z.Bektashi në kontratat me familjet pronare në 2007 & 2008 mori përsipër ndryshimin e destinacionit të të gjithë zonës së madhe dhe se këtë e realizoi Berisha në 2013, pra 6 vjet më vonë! Pra, nuk paska qenë Jamarbër Malltezi ai që ka marrë përsipër ndryshimin e destinacionit, por ndërtuesi. A nuk është kjo një marrëveshje standarde e pronarëve të truallit me ndërtuesit? Dhe më qesharakja: destinacionin e pjesës së mbetur të terrenit të ish klubit Partizani e ndryshoi Edi Rama me vendimin e KRRT nr. 238 datë 27.12.2008, të firmosur nga ai vetë, dhe 10 drejtorë të tij, të cilët miratuan zonimin funksional të kompanisë Urbaplan dhe e ndryshuan destinacionin në “zhvillime të reja me parametra të lartë urbane”. Sipas vendimit 29 të vitit 2006 të Gjykatës Kushtetuese pushteti vendor kishte tagrin e planifikimit dhe kontrollit të territorit. Ky zonim funksional i Edi Ramës u integrua në Planin Rregullues të Tiranës të vitit 2012, i cili u miratua me vendimin nr. 57 të Këshillit Bashkiak të Tiranës në dhjetor 2012. Këshilli Kombëtar i Territorit i kryesuar nga Berisha në shkurt 2013 miratoi vendimin në fjalë të Këshillit Bashkiak mbi Planin e të gjithë Tiranës dhe jo specifikisht në lidhje me zonën e Klubit Partizani. Pra, me falsifikime të dokumenteve zyrtare dhe shtrembërime të fakteve, SPAK i vesh Berishës vendime që mbajnë firmën e Edi Ramës të cilin nuk ka guxuar as ta thërrasë për pyetje.

Cilat janë konkretisht falsifikimet në akuzë?

Kjo aktakuzë është thurur fillim dhe mbarim me gënjeshtra, të cilat një njeri i lirë nuk do mund t’i shkruante kurrë. Në fakt, këtu nuk flasim për gënjeshtra të rëndomta, por për falsifikime të dokumenteve zyrtarë, prishje të hetimeve, ndalim të paligjshëm dhe vepra të tjera penale, të ndëshkueshme nga Kodi Penal. Po ju tregoj të paktën 10 falsifikime të akuzës, që dokumentet e dosjes i demaskojnë si të tilla.

Falsifikimi nr.1: Pronarët e terreneve të KP ishin shpronësuar nga Italia – ky ishte kallëzimi i rremë i Taulant Ballës. Pas hetimeve 4-vjeçare, hulumtimeve në Arkiv dhe letërporosive në Itali, SPAK u detyrua të pranojë që kjo deklaratë ishte mashtrim dhe se Fletoret Zyrtare të kohës kanë pasqyruar rekuizimin e përkohshëm në 1942 dhe 1943. E megjithëkëtë, ata përsëri edhe sot shprehen se familja Begeja pretendon se toka e KP është në pronësi te saj, ndërkohë që është vërtetuar në mënyrë të pakundërshtueshme, me dokumente zyrtare kadastrale, se toka ishte në pronësi të saj. Tani është frika ku janë ngërthyer prokurorët e SPAK për shkak të veprave penale që kanë kryer, fshehjes se krimit – kallëzimit të rremë të Taulant Ballës, ajo që i detyron ata, që nga një anë të pranojnë se toka nuk ka qenë e shpronësuar, por nga ana tjetër të shkruajnë rreth 100 faqe pse e kanë pasur të paqartë pronësinë e tokës. Ligji nuk ndryshohet, dhe nuk mund të përgënjeshtrohet me dëshmitarë. Dekretet e botuara në Fletoren Zyrtare të 1942-1943 kanë forcën e ligjit dhe asnjë kallëzim i rremë nuk e fsheh dot këtë fakt.

Falsifikimi nr.2 në akuzë: Ndryshimi i destinacionit u krye nga Berisha – në fakt, siç u tregua më sipër, ndryshimi i destinacionit u krye të dyja herët, në 2006 dhe 2008, nga Edi Rama pa kërkesë të pronarëve të tokës, biles para se pronarët e tokës t’ia kërkonin këtë gjë firmës ndërtuese.

Falsifikimi nr.3 në akuzë: Berisha si kryeministër bëri ligje që të merrte pronat dhëndri i tij. Në fakt, prona ju ishte njohur tërësisht familjeve pronare dhe iu që kthyer pjesërisht, që nga viti 1995 e në vijim. Edhe në janar 2006, Komisioni i Kthimit të Pronave me 5 përfaqësues të caktuar nga qeveria e mëparshme e PS-së mori vendim plotësues për kthimin fizik të 11,740 m2 familjes Begeja pikërisht në atë tokë që ishte e njohur që në 1996. Nuk ka pasur asnjë ligj apo VKM nominativ të firmosur nga Sali Berisha por vetëm ligje programatike dhe VKM me efekte të përgjithshme, pra jo për një apo disa persona të caktuar por vetëm për të gjithë popullsinë. Ato ligje dhe VKM mundësuan që 510,000 shqiptarë të marrin ose kompensohen për pronat e tyre me 1 miliard e 700 milionë m2 tokë, për të cilat gjatë viteve 2006-2013 u dhanë 54,000 vendime nga Agjencia e Kthimit të Pronave. Ligje nominative ka firmosur Edi Rama si p.sh. ligji Fusha, Alabar, VKM 183 e 2016 që i fali 37,000 m2 tokë të pronarëve të tjerë klubit të vëllait Olsit, apo 4 VKM e personalizuara për Bolinon.

Falsifikimi nr.4 në akuzë: Klubi ishte në planin e përhapjes të Forcave të Armatosura. Dokumente të dosjes tregojnë se KP nuk ishte në planin e përhapjes as në vitin 2004, sipas dekretit të Presidentit Moisiu. SPAK e ka pasur në dosje dekretet presidenciale që vërtetonin këtë, por edhe proces-verbalin e BKH që konfirmonte shprehimisht këtë gjë. Por prokuroret politikë tentuan të zhbëjnë dekretin e presidentit me dëshmi të rreme. Klubet as që ishin nën administrimin e shtetit, e jo më në planin e përhapjes. Ato vidheshin ndërsa zyrtaret e paguar nga shteti kthenin kokën në anën tjetër për arsye të kuptueshme.

Falsifikimi nr.5 në akuzë: Qeveria “Berisha” nisi privatizimin e klubit. Gënjeshtër. Në korrik të vitit 2005, ministri i qeverisë socialiste, Anastas Angjeli dërgon propozimin për privatizimin e klubit Partizani’. Ministri Blendi Klosi e gjeti të bazuar këtë kërkesë me shkresën e tij me 22.07.2005. Që në këtë moment pronarëve u ka lindur e drejta e ushtrimit të të drejtës së parablerjes në rast privatizimi, e cila u ishte dhënë nga komisionet e kthimit të pronës me vendime të vitit 1995-1996. Pronarët e tokës kanë korrespondenca qysh nga 1995, 1999, 2001 e deri 2005, 2006 dhe 2007 ku kërkojnë privatizimin e objekteve të rrënuara të klubit Partizani.

Falsifikimi nr.6 në akuzë: U privatizua një pronë publike që funksiononte normalisht. Edhe kjo një gënjeshtër që përbën falsifikim të një dokumenti zyrtar. Akte zyrtare, të firmosura nga Edi Rama si kryetar i bashkisë tregojnë se thuajse të gjitha objektet e të dy klubet ishin “zënë forcërisht”. A mund të funksionojë rregullisht klubi sportiv kur shumica absolute e objekteve janë zënë forcërisht për banim nga familjare dhe biznese? Ish-drejtori, Isa Tare në 2006 ka shkruar se zaptimi ka ndodhur me lejen e atyre që paguhen për ta ruajtur. Ish-zv. Ministri i Sporteve shkruan në 2006 se shumica e objekteve janë të zëna forcërisht ndaj klubin nuk e kemi marrë fare në inventar.

Falsifikimi nr.7 në akuzë: Prokurorët politik në një mashtrim grotesk shkruajnë në aktakuzë se procedurat e privatizimit u kryen me shpejtësi. E vërteta është kthimi i pronës tek pronari i ligjshëm zgjati mbi 12 vjet (1995-2007). Procesi i privatizimit, që, siç u tregua, nisi në korrik të 2005 me shkresat e Angjelit dhe Klosit dhe përfundoi për njërin klub në fund të 2008 e për tjetrin në fund të 2009, pra mbi 3 dhe mbi 4 vjet! Kjo është shpejtësia? Krahasojeni me atë që Dumani i parisë e konsideron si “krimin intelektual” – inceneratorët – ku Edi Rama ka kaluar 9 procedura dhe 17 firma ministrash brenda ditës për qindra milionë euro për inceneratorë që nuk ekzistojnë!

Falsifikimi nr.8 në akuzë: Malltezi hyri me 110 metra tokë e u bë milioner. Kjo ishte në mashtrimin e Taulant Ballës që prokurorët e morën toptan. Makina llogaritëse tregon se Malltezi kish 412m2 trashëgimi nga ajo pronë. Më pas, ka blerë mbi 2150 m2 të tjera nga të gjithë ata që donin të tërhiqeshin sepse e shihnin si mision të pamundur ndërtimin e projektit, për shkak të pengesave të kundërligjshme të Edi Ramës dhe faktin që kish 42 familje informale që banonin në objektet. Të gjitha kontratat dhe faturat e blerjeve të tokës, prokurorët politikë i kanë në dosje, por iu interesonte të përsërisnin mashtrimet e Taulant Ballës. Do të kishte qenë më e thjeshtë për Malltezin që paratë e blerjes së tokës ti fuste në ndërtim direkt si investim, por një nga detyrat e ortakëve ishte të siguronin që toka të mbetej në funksion të projektit dhe që familjet pronare do merrnin njësitë për të cilat kishin rënë dakord. Mbi 95% e financimit të këtij projekti u realizua nga vetë-financimi i shitjeve të ndërtimit që në gropë. Edhe për këtë, prokurorët politikë kanë disponuar mbi 350 kontrata të noterizuar të shitjeve në gropë në vitet 2010-2011. Malltezi kontribuoi duke derdhur para në bankë dhe duke blerë tokën me të ardhurat e tij. Çdo kontribut i ortakëve në ndërtim ka qenë në formë huaje, e cila u është kthyer, duke e zbritur nga fitimi i të tre ortakeve. Shoqëria Homeplan, gjithashtu, ka marrë hua, që më pas është shlyer nga fitimi i të tre ortakëve. Pra, të tre ortakët kanë kontribuar në të njëjtat forma, në raporte të ndryshme, sipas marrëveshjes së investimit midis tyre. SPAK kërkon të ngrejë akuzë mbi marrëdhëniet midis ortakëve, për të cilat këta vetë nuk kanë pasur kundërshtime. Aktiviteti i Homeplan është kontrolluar nga Drejtoria për Parandalimin e Pastrimit të Parave dy herë; një herë në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe një herë kur është kontrolluar subjekti që mbante llogaritë e Homeplan.

Falsifikimi nr.9 në akuzë: Ish-gjenerali Qirjazi kundërshtoi procesin e privatizimit dhe për këtë arsye ai u pushua nga puna, pasi mbi të ishte bërë presion. Në fakt, z.Qirjazi nuk kishte asnjë rol, në asnjë procedurë te privatizimit. Çdo procedurë kishte përfunduar, pronarët e tokës kishin shumë muaj që i kishin paguar çmimin e privatizimit të objekteve të ndërtuara mbi pronën e tyre, ndërkohë që z.Qirjazi duhej që formalisht të bënte inventarizimin dhe dorëzimin e pronës, e cila tashmë ishte privatizuar. Por z.Qirjazi mesa duket i kishte lezetuar paligjshmëria. Qysh në vitin 2000 ish-ministri Ismail Lleshi kishte urdhëruar komandën mbështetëse ta merrte në dorëzim pronën e KP dhe ta vinte atë nën administrimin e shtetit, pra të vileshin të ardhura për buxhetin e shtetit nga kjo pronë. Por ky urdhër që injoruar vazhdimisht, edhe pas kërkesave të shefit të shtabit, gjeneral Qazimi gjatë viteve 2005-2006. Pse refuzon një zyrtar i shtetit të marrë pronën e shtetit nga përdorimi i paligjshëm i një subjekti tregtar dhe t’ia kthejë pronarit shtet?

Falsifikimi nr.10 në akuzë: Pronarët kanë përvetësuar 852 metra toke shtet. Në fakt, hartat dhe matjet e tokës nga Italia në vitet 1940, tregojnë se nuk ka pasur asnjë cm2 tokë shtet në këtë zonë. 5 familjet pronarë kanë mbi 66,000 m2 tokë nga e cila toka e të dy klubeve bashkë ka qenë rreth 45,000m2. Pra, pronarët e tokës kanë ende mbi 21,000m2 tokë pa ju kthyer në të njëjtën zonë. Për këtë arsye, familja Alimehmeti, që ndodhej ngjitur me këtë cep prej 857m2 e kërkoi atë si kompensim fizik pasi kish 3,000m2 pa ju kthyer; kjo kërkesë bazohej në një VKM që mundësonte kompensim fizik të pronave kur parcelat janë ngjitur. Nuk dimë pse kjo familje nuk e finalizoi këtë procedurë të ligjshme, por, meqë nuk u finalizua, kjo tokë prej 857m2, ka mbetur edhe sot që flasim tokë shtet. Ajo as nuk është tjetërsuar, as nuk është përdorur si koeficient ndërtimi. Vijon edhe sot tokë shtet siç e konfirmon kadastra.

A ka sjellë fakte të reja aktakuza?

Kanë shtuar edhe gënjeshtra të tjera, por ende nuk na kanë vendosur në dispozicion aktet, p.sh. kanë gënjyer kur shkruajnë se kam marrë pagesë qiraje nga një apartament edhe 4 vite pasi është shitur. Gënjeshtër flagrante, pasi del qartë nga deklarimi im në LDKPI se bëhet fjalë për qiranë e një apartamenti tjetër që ndodhet në të njëjtën rrugë, 100m më tutje. Apo kur shkruajnë se një apartament 120m2 tek ETC e kam dhënë me qira 8,000 euro në muaj kur ai ishte me qira 800 euro në muaj. Pra, gënjeshtër 10-fish. Këto nuk janë lapsus pasi e kanë bërë qëllimisht bold për të tërhequr vëmendjen në lexim. Kërkojnë të tymojnë të vërtetën duke prodhuar tituj gazetash për apartamente të blera jashtë vendit. Të gjitha pasuritë e blera nga Jamarbri apo nga unë janë nga burime të ligjshme dhe të deklaruara sipas ligjit. Ato janë kontrolluar nga organet respektive të Kontrollit të Pastrimit të Parave në Shqipëri dhe në vendet pritëse, sipas legjislacionit përkatës. Për të shpëtuar nga krimi i shëmtuar që kanë kryer, SPAK ka kërkuar ndihmën e ekspertizave nga patronazhistë, punonjës në varësi të kallëzuesit të rremë Taulant Balla, dhe persona me precedent penal, të cilët i kontrollon nëpërmjet dosjeve që kanë të hapura në prokurori. P.sh. babai i patronazhistit Zyba, që kanë emëruar në BKH, ka kryer një topografi të rremë sipas oreksit të shefit të Krajës dhe Millonait, e merr tokën e Yzberishtit dhe e pozicionon në Tiranë. Këta ekspertë, të shantazhuar me dosjet e tyre, janë vënë të vlerësojnë objekte që nuk ekzistojnë më. Si do ta vlerësosh në vitin 2024 gjendjen e një objekti që është shembur në 2009, e që ishte ndërtuar në vitin 1970? Formula është e thjeshtë – sipas urdhrit politik. Pronarët kanë paguar jo pak, por 800,000 USD asokohe për ato objekte të rrënuara dhe të uzurpuara. Kësaj fature iu shtua edhe strehimi i 42 fëmijëve që banonin në ambientet e KP.

Megjithatë, a ka përfituar Sali Berisha para nga Jamarbër Malltezi?

Jo, absolutisht asgjë pasi të gjitha i kam përballuar unë vetë. Një faturë e paguar nga Abi për gjyqin në Francë është deklaruar në ILDKP dhe është borxh. Ndërsa dy fatura të paguara nga Abi për shpejtësi me e-banking (meqë unë nuk kam qenë në Shqipëri), për avokatët në Angli janë rimbursuar brenda pak javësh nga unë 100%. Jo vetëm kaq, por kanë gënjyer në dokument zyrtar duke deklaruar sikur të ardhurat e Abit janë pjesë të bashkësisë ligjore (pra të dy bashkëshortëve). Ky është një tjetër falsifikim i qëllimshëm i një dokumenti zyrtar nga SPAK, pasi prokurorët e dinë ligjin dhe Kodi i Familjes në nenin 77 përcakton se trashëgimia nuk është pjesë e bashkësisë ligjore. Në mungesë të fakteve SPAK ka shënuar si përfitim direkt të Berishës një sponsorizim rreth 5000 euro nga kompania Homeplan në buxhetin e Ministrisë së Kulturës në vitin 2013, për të sjellë këngëtarin Cocciante dhe Elhaida Danin në Shqipëri. Ose kanë shënuar si përfitim direkt të Berishës pagesat që ne bëjmë për bamirësi, për trajtimin e tre fëmijëve me autizëm në Qendrën Rajonale të Autizmit të ngritur dhe e drejtuar nga Dr Liri Berisha me ndihmën e Fondacionit Autizem Speaks. Dr. Liri Berisha ka 20 vjet që punon në këtë fondacion për humanizëm, pa asnjë pagë apo shpërblim. Këto janë para nga burime të ligjshme që shkojnë direkt për trajtimin e fëmijëve që nuk kanë asnjë lidhje familjare me ne. Nuk mund të mos them që nxjerrja e emrave të tyre është një akt kriminal që shkel ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale dhe normat që mbrojnë të miturit e pacientin. Hienat politike të SPAK shpallin vepër penale solidaritetin familjar dhe bamirësinë transparente, sepse kërkojnë mjegull për krimin e tyre të shëmtuar.

Si e shihni ecurinë e kësaj çështjeje?

Kjo është një çështje fund e krye politike pasi nuk ekziston asnjë vepër apo fakt penal. Bëhet me urdhër të Edi Ramës në vit elektoral dhe ka qellim të pengojë rotacionin me vote. Veliaj i quajti kolegë, por, në fakt, SPAK është kthyer në repartin ushtarak të PS.

Kjo çështje nuk ka të bëjë vetëm me Berishën. Pengmarrja e shtetit ligjor është kambanë alarmi për çdo shqiptar. Reforma në drejtësi, i la qytetarët pa drejtësi. Nga një anë ajo bëri që qytetari i thjeshtë të mos marrë dot drejtësi sepse sot për t’u gjykuar një çështje civile qytetari duhet të presë mesatarisht 14.6 vite, ndërsa për një çështje penale 10 vite. Nga ana tjetër, prokuroria dhe gjykata e posaçme u vunë nën kontroll politik total dhe përdorën si kamxhik për t’i diktuar opozitës krerët e saj, dhe për të amnistuar korrupsionin e Edi Ramës dhe bosët e krimit të organizuar të lidhur me qeverinë. Përballja me të keqen që kërkon të na vërë përfund është beteja më e rëndësishme për këdo që ka vendosur të jetojë në Shqipëri. Ne do vijojmë të qëndrojmë dhe do bëjmë publike para shqiptarëve falsifikimet e SPAK dhe kapjen e drejtësisë. Kjo është një betejë jetike për shtetin e së drejtës, për të ardhmen e drejtësisë dhe të Shqipërisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat