Mirë se vini në Shtetin e Baba Mondit!

Shqipëria

Mirë se vini në Shtetin e Baba Mondit!

Më: 23 shtator 2024 Në ora: 10:24
Baba Mondi

D.m.th bektashinjtë vetë nuk dinin gjë. Baba Mondi aq më pak. Gojët e liga thonë se iu dridh veladoni jeshil kur asistenti i tregoi lajmin: Një shtet brenda shtetit! Një shtet sovran si ai i Vatikanit, brenda në Shqipëri! Dedikuar Bektashinjve anipse ata nuk janë as faktorë, as aktorë, as të parë, as të dytë në statistikat zyrtare të besimeve shqiptare.

Rama e kishte vendosur me mendjen e vet.

Po kush ia kërkoi? Pse?

Edi Rama doli e foli për Nju Jork Times se do të krijonte në Shqipëri kryeqendrën e bektashinjve, por këta të fundit nuk dinin gjë. "Ithtari i tolerancës" na dashka të promovojë tolerancën, në një vend ku vetëm tolerancë nuk ka.

Hajde merre vesh!

Tipike e Edi Ramës. I zhytur deri në fyt, kryeministri i Shqipërisë, kapi një media ndërkombëtare e më pas, mu në mes të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, doli e luajti me një kartë që, të na falin bektashinjtë, por as vetë Dreqit nuk i shkonte ndër mend: Krijimit të një shteti brenda shtetit.

D.m.th ne që kemi 34 vjet e nuk po krijojmë dot një shtet normal, do të krijojmë një minishtet fetar. As katolik, as mysliman, por bektashi. Aq çmendurake ishte ideja sa dhe që vetë bektashinjtë, të zënë gafil, nuk kishin shumë për të zgjedhur e asgjë për të thënë.  Kjo i ka tejkaluar edhe ëndrrat e tyre më të guximshme. Fundja ç'punë ju prish një shtet i tyre  në Shqipëri! Asnjë! Përkundrazi!

Ndërkohë që Baba Mondi hante e pinte e bënte sehir bëmat e Ilir Metës, Edi Rama i fali atë që edhe Zoti do t'ia kishte zili.

Dhe ndërkohë që Rama po shkonte nga ‘New York Time’ për në OKB, Baba Mondi filloi të thurte ëndrra. A thua do të jetë ai Babai i parë shpirtëror, i ngjashëm me Papën e Vatikanit? A do të kishte edhe ai pushtetin e tij? A do të kishte edhe ai aq para sa Vatikani.

Shqipëria ka vërtetë bektashinj, por ata janë shumë të paktë në numër krahasuar me myslimanë, katolik e ortodoksë.

Sa shumë pyetje!

Bomba plasi. Baba Mondi ëndërron për shtetin e tij, ndërsa Rama i pushtuar nga Djalli bektashi, bën plane për të shpëtuar lëkurën.

Kryeministri luajti kartën që di të luajë më mirë. Edi Rama e hodhi këtë ide, si shashkën e radhës për të tërhequr vëmendjen nga anëtarët e mafies që po i bien një nga një dhe po krijon atë që di të bëjë më mirë: një shtet brenda shtetit!

Me një tepsi të gjerë e të gjatë pushteti, gjë të cilën ka 12 vjet që e ha i vetëm, Edi Rama nuk di më çfarë të bëjë me Shqipërinë që e ka degdisur buzë gremine. Ai vetë është ngopur, të vetët po i ikin si gur shahu, prandaj Kryeministri ka hapur lojën me të rinjtë. Kush të jetë i mirë në ‘gojore’ për kryeministrin, hyn direkt në qeveri. Kush është i zoti fare, hyn direkt në listat e mbyllura, në zgjedhjet e përgjithshme të vitit të ardhshëm.

Rama është ngopur me pushtet. Është neveritur prej tij. Ai po bëhet dëshmitar i shokëve që po e lënë me radhë për ta ndjekur nga pas hekurave. Prandaj ka filluar të shpalosë aftësinë e vetme që ka e në të cilën është plotësisht i aftë: të krijojë precedentë të pakuptimtë, me formulë tolerancën fetare në Shqipëri.

A thua ky është qëllimi, apo Kryeministri ka ndër mend ti vendosë minat në themele tolerancës fetare me këtë punën e shtetit të Baba Mondit?!

Me një Kryeministër si Rama, asgjë nuk është çudi. Punë e madhe pse askush nuk e di se ku do të jetë ky minishteti, si e qysh e tek. Vetë bektashinjtë nuk dinin gjë.

Pasi morën veten nga tronditja, ata dolën me një deklaratë dhe e përqafuan "ëndrrën e një  nate vjeshte amerikane, të Edi Ramës. "Jemi dakord!", thanë, edhe pse as vetë ata nuk e dinë se çfarë do të bëjnë me atë shtet të pakërkuar.

Ndërsa nga sot e këtej,  Shqipëria ka një emër, një qëllim, një banderolë përfaqësuese, të pakërkuar gjithashtu.

Nga sot, në çdo pikë kufitare do të shtohet tabela, "Mirë se vini në shtetin e Baba Mondit". Këtu ku toleranca fetare medemek është simbol, por ata që kanë në dorë fatet e vendit nuk respektojnë as kryq as gjysmëhënë. Ata vetëm se shpikin thagma sa herë ndihen ngushtë. Kësaj radhe ishte pelerina jeshile e Baba Mondit, që do të ketë edhe shtet.

Le ta gëzojmë!/Pamfleti

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat