Teknologjia digjitale/ Rama: Do ndërtojmë modelin plotësisht transparent dhe 95 % të bazuar tek IA për prokurorimet publike

Shqipëria

Teknologjia digjitale/ Rama: Do ndërtojmë modelin plotësisht transparent dhe 95 % të bazuar tek IA për prokurorimet publike

Më: 23 shtator 2024 Në ora: 20:32
Kryeministri Edi Rama

Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së mbajtur në Asamblenë e OKB tha se Shqipëria po shfrytëzon përparësitë e modelit të Inteligjencës Artificiale, për të çuar shpejt përpara negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Gjithashtu, tha Kryeministri, po shohim në këtë drejtim edhe për ndërtimin e një modeli të ri plotësisht transparent dhe 95% të bazuar tek IA për prokurimet publike.

“Shqipëria ka qenë viktimë e një sulmi të egër kibernetik nga Irani. Ne e provuam në realitet se sa shumë kjo botë e re e bazuar në teknologji mund të sjellë dëme për vendet dhe për qytetarët. Por tekefundit nuk ka aspak dyshim se nëse do të jemi në gjendje të krijojmë një sistem, ku bota dhe komuniteti i kombeve të përfitojnë më të mirën nga premtimet e teknologjisë digjitale dhe në të njëjtën kohë, të frenojnë të gjitha efektet e dëmshme që mund të vijnë nga përdorimi dashakeq i saj, kjo botë do të ishte një vend shumë më i mirë”, tha Rama.

Ai u shpreh se teknologjia digjitale me premtimin e saj për progres eksponencial është bekim për vendet në zhvillim.

“Ne në Shqipëri e kemi parë në jetën reale dhe me përpjekjet përkatëse u bëmë një vend ku 95% e shërbimeve sot ofrohen online e ku sportelet dhe radhët e gjata janë tashmë histori e të shkuarës” tha Kryeministri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat