Emisioni Fiks Fare solli rastin e një punëtori të kompanisë Ital Construzione, i cili është dëmtuar në punë dhe firma kërkon të fshehu ngjarjen.
Jurgen Lekli tregoi për gazetarët e Fiksit se është dëmtuar në punë dhe firma nuk është përgjigjur për asgjë, madje ata po kërkojnë të fshehin ngjarjen.
“Unë u dëmtova në këmbë, bërë 3 ndërhyrje te Spitali Ushtarak dhe firma nuk u përgjigj për asgjë. Në fillim më thanë shko në privat dhe mos deklaro dhe të të japim ne paratë, por kur nuk dhanë asgjë shkova në shtet dhe më vonë ju drejtova edhe policisë, por kuptoj se Oficeri i Policisë Gjyqësore po mban anën e tyre dhe kështu ata po dalin të pafajshëm, dhe mua nuk më kanë dhënë asgjë”, thotë Jurgeni i cili prej muajsh tani lëviz me patericë.
Fiksi solli takimin e të dëmtuarit me drejtorin e Inspektoriatit të Punës Durrës. Ky i fundit pranon se u lajmërua me vonesë për rastin dhe ka marrë dy masa administrative për kompaninë. Ndërkohë kërkon nga djali që t’i tregojnë raste të tjera aksidentesh në atë firmë në mënyrë që të rikontrollojnë.
Ndërsa inspektoriati i punës thotë se e ka bërë detyrën atëherë, djali takon dhe oficerin e policisë gjyqësore tek i cili janë bërë deklarimet.
OPGJ-ja i kërkon të dëmtuarit që bashkë me të të shkojnë tek kompania meqë drejtuesit e kësaj të fundit duan ta takojnë, por Jurgeni nuk pranon.
Fiksi solli takimin mes pronarëve të kompanisë të dëmtuarve dhe Oficerit të Policisë Gjyqësore, i cili e organizon takimin në një lokal afër komisariatit Shijak. “Edhe për mua është më mirë në një ambient asnjëanës”, dëgjohet t’i thojë ai të dëmtuarit në telefon kur lënë takimin.
Në bisedën e tyre, punonjësi i policisë i cili ka në dorë një kallëzim për kompaninën bën ndërmjetësin, duke i kërkuar të dëmtuarit që ta mbylli këtë gjë.
Madje i thotë të aksidentuarit që të marri paratë e ta mbyllin si çështje.
OPGJ-ja shprehet se ai ka ardhur vetëm si ndërmjetës në takimin që ai vetë organizoi në lokal për hatër të të dyja palëve që të mund të gjenin një dakordësi.
Problem tjetër që del në denoncimin e Fiksit është se punonjësit nuk deklarohen me rrogën që marrin ,por me një rrogë më të ulët dhe pjesën tjetër e marrin në dorë, në të zezë. Edhe firma këtë do të shfrytëzojë duke e dëmshpërblyer të dëmtuarin me rrogë që deklarohet dhe jo me pagën që ai merrte në total.
Për këtë gjë djemtë vunë në dijeni edhe drejtorin e inspektoriatit të punës i cili u kërkoi një ankesë me shkrim, emra dhe data kur bëhej shpërndarja e parave në dorë dhe emrat e të gjithë të dëmtuarve në punë të cilët firma nuk i ka deklaruar si të tillë.