Ish-kryebashkiaku i Himarës mbetet në burg, Gjykata e Lartë i rrëzon kërkesën për masë më të lehtë sigurie

Shqipëria

Ish-kryebashkiaku i Himarës mbetet në burg, Gjykata e Lartë i rrëzon kërkesën për masë më të lehtë sigurie

Më: 24 shtator 2024 Në ora: 16:53
Foto nga vendi i ngjarjes

Gjykata e Lartë ka rrëzuar kërkesën e ish-kryebashkiakut të Himarës, Jorgo Goro, për një masë më të lehtë sigurie se ajo e arrestit në burg.

Goro akuzohet për shpërdorim detyre në dy raste dhe aktualisht ndaj tij janë caktuar dy masa sigurie.

Hetimet e SPAK treguan se Goro në bashkëpunim me Jerasimo Bushin, përcollën pranë organeve kompetente dokumente të falsifikuara duke bërë të mundur regjistrimin e një sipërfaqe prej 5512 m2 tokë bujqësore, në pronësi të shtetit, në favor të subjektit privat, në pronësi të Foto Mëhillit, i ati i Stavri Mëhillit.

Pas kësaj procedure, të dy ata kanë vijuar me transaksionet për të regjistruar sipërfaqen e tokës në emër të një shoqërie private me përfaqësues Artan Gaccin.

Në total janë dy sipërfaqe toke të tjetërsuara, të dyja rreth 10 mije m2.

Pak muaj pas arrestimit, Prokuroria e Posaçme kërkoi një tjetër masë sigurie arresti në burg për Jorgo Goron si dhe  sekuestroi të 4900m2 tokë që është përfituar nga ish-kryebashkiaku i komanduar i Himarës Arqile Bollano.

Goro dyshohet për shpërdorim detyre dhe korrupsion, teksa hetimi ka nisur fillimisht nga prokuroria e Vlorës por u transferua një muaj më parë në SPAK.

Toka ndodhet në zonën e Livadhit në Himarë, e cila sipas prokurorisë është përfituar në mënyrë të padrejtë nga Arqile Bollano, kryetar i komanduar nga PS në bashkinë Himarë.

Vetë Bollano ka qenë pjesë e grupit të punës, të cilët ndërtuan listën emërore të personave që fituan tokë në mënyrë të padrejtë në Himarë një pjesë të të cilës dyshohet se duke shfrytëzuar njohjen me Goron, ia jep vetes së tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat