Në emisionin Open në News24 është diskutuar mbrëmjen e së martës lidhur me idenë për krijimin e “Shtetit Bektashi”.
Historiani Paskal Milo, ish-ministër i Jashtëm, duke komentuar idenë për krijimin e një shteti sovran brenda shtetit shqiptar, tha se në rradhë të parë shkakton vetëm habi, por në një plan më të gjerë, është një lëvizje me terma të matura, jo e kujdesshme, jo e peshuar dhe mund t’i sjellë Shqipërisë, shqetësime të tjera përveç atyre që ka.
“Nuk mendoj se është një propozim që doli befas. Mund t’ju them se kjo ide ka 5 ose 6 vite minimalisht që diskutohet dhe që ekzistojnë dokumente respektive në instancat më të larta të shtetit shqiptar”, tha Milo.
Ai tha se ndoshta tani ka ardhur momenti për ta bërë publike këtë ide, duke shtuar se ajo ka shumë të panjohura.
“Qarkullon një letër e Baba Mondit, e para disa viteve, drejtuar Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta dhe Kryeministrit Edi Rama, ku parashtrohen këto çështje që ne dëgjojmë sot. Madje kërkohet statusi i Misionit Diplomatik, duke e krahasuar me Urdhërin e Maltës ose statusin diplomatik të Vatikanit.
Propozimi ka komponentin gjeo-strategjik. Duhet ta lexojmë edhe në raport me ndërkombëtar, padiskutim që ka aspektin gjeopolitik”, tha Milo.